Simeone, magjistari i kupave godet sërish

Trajneri argjentinas ka arritur finalen e katërt në 7 sezone, me pak fat mund të kishte ndonjë Champions në shtëpi

Diego Pablo Simeone ka ndryshuar historinë e Atletikos së Madridit dhe tani kërkon triumfin e dytë në Europa League, pas atij në vitin 2012. Finalja e Lionit është siguruar duke eliminuar rivalin më të vështirë në letër, Arsenalin, ndërsa tani përballë është Marseja, më 16 maj. Një rast i shkëlqyer për Atletikon, që nuk mund të gabojë, sepse është favorit i madh për të përsëritur sukseset e sezoneve 2009-2010 dhe 2011-12.

MERITË E “CHOLO”-S

Edhe një herë, protagonist i madh ka qenë Diego Pablo Simeone, ai që prej 6 vitesh drejton me sukses një skuadër të ndërtuar pa milionat që shpenzojnë sheikët e Sitit e PSG-së, apo Barcelona dhe Reali, që kanë një buxhet shumë herë më të madh. Një titull kampion në Spanjë është shumë, vlen nga 10 në Bernabeu apo Camp Nou, ndaj Simeone duhet të jetë krenar, por specialiteti i tij janë kupat. Tashmë ka siguruar finalen e katërt në 7 sezone. Ka fituar Europa League në vitin 2012, por ka qenë shumë i pafat në Champions League, ku është mundur dy herë nga Reali, në mënyrë dramatike. Tani synohet trofeu i parë në 3 vitet e fundit, pas Superkupës së Spanjës në vitin 2015, një vit pas triumfit në La Liga. Nëse fiton Europa League, do të ishte titulli i gjashtë në 7 sezone në stolin madrilen. 374 ndeshje në total, 231 fitore, numra të jashtëzakonshëm!

Shifra të frikshme për Atletikon e Simeones, po të mendohet që para argjentinasit Atletiko kishte luajtur vetëm 5 finale ndërkombëtare në historinë e vet: Kupën e Kupave 1961-62, 1962-63 e 1985-86, Kupën e Kampioneve 1973-74 dhe Europa League 2009-10.

Sekreti i Simeones është mbrojtja, pasi Atletiko është një makineri që shumë rrallë pëson gol. Sidomos në Madrid gjithçka funksionon si orë zvicerane: në 184 ndeshje shtëpiake me Simeonen në drejtim, Atletiko e ka mbyllur pa pësuar gol në 112 raste. Këtë sezon askush nuk ka fituar në stadiumin e ri Wanda Metropolitano, aty ku 12 skuadrat e fundit që kanë zbritur në fushë nuk e kanë gjetur golin.

“Ndeshje pas ndeshjeje është jeta e njeriut të zakonshëm në rrugë, ditë pas dite. Ne e shohim veten të pasqyruar te shoqëria jonë, te njerëzit që duhet të luftojnë për të mbijetuar. Sapo ne pushojmë së luftuari, nuk kemi më asnjë shans. Njerëzit identifikohen me ne, jemi burim shprese për ta”, tha Diego Simeone pas triumfit ndaj Arsenalit dhe mjafton kaq për të kuptuar filozofinë që ai ka futur tek Atletiko.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *