Si u rrënua Dinamo dhe plani për ringritjen, rrëfehet administratori Saliaj

Dinamo e këtij sezoni është më ndryshe nga vjet, jo vetëm se renditet në skuadrat e kreut në Grupin A, por edhe sepse është ndërtuar një skuadër me elementë cilësorë që garantojnë më shumë sukses. Këtë fakt e tregon për SportEkspres.com edhe administratori Ismet Saliaj, i cili duke ju referuar 15 viteve në drejtimin e Dinamos, deklaron se nuk ndjehet mirë që në 69-vjetorin e krijimit të klubit skuadra ndodhet në Kategorinë e Parë.

Ai thekson se në sezonin tjetër do të jetë një Dinamo ndryshe, që do ta synojë me më shumë këmbëngulje ngjitjen në Superiore. Këtë sezon duket e vështirë të rivalizohet me Vllazninë, që ka ruajtur një pjesë të mirë të skuadrës që ishte edhe vjet në Superiore. Gjithsesi Saliaj tregon se do tentojnë deri në fund.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Nga një tifoz, në administrator. Si i përshkruani këto vite në drejtimin e skuadrës së Dinamos?
-Kanë qenë vite shumë të bukura deri në vitin 2011, kur dolëm kampionë. Pas atij momenti erdhën sezonet më të trazuara për këtë klub të madh. Marrja padrejtësisht e kompleksit na ka rënduar, por punuam shumë për të mos pasur disfatë më të rëndë.

Më 25 shkurt festoni 69-vjetorin e krijimit të klubit Dinamo. A ndjeheni keq që ju gjen në kategori inferiore?
-Natyrisht që po. Vetë emri i madh që ka Dinamo nuk do e pranonte këtë situatë, që tashmë është realitet. Unë si administrator kam vuajtur shumë këto vite në Kategorinë e Parë, sepse nuk isha i gatshëm për këtë rënie. Tani kam fituar imunitet dhe jam kurajoz për projektin e ri.

Cilat janë problematikat që e sollën Dinamon në këtë situatë?
-Kompleksi “Dinamo” ishte shtëpia e kësaj skuadre të madhe. Politikat jo dashamirëse që u ndoqën me ne në vitin 2011 na larguan nga elita. Mungesa e ambienteve dhe e aseteve në klub nuk na jepte asnjë mundësi më shumë se kaq. Gjithsesi këto i takojnë së shkuarës.

A e keni një strategji për ngjitjen e Dinamos në elitë?
-Në sezonin tjetër do të jetë një Dinamo që do ta synojë me më shumë këmbëngulje ngjitjen në Superiore. Ka disa muaj që skuadrës i janë afruar disa sponsorë seriozë dhe të fuqishëm në bizneset e tyre. Strategjia jonë do të mbështetet te ky suport i ri.

Në dy fazat e para të këtij sezoni në Kategorinë e Parë, Dinamo u rendit në pesëshen e parë të Grupit A. A jeni brenda objektivave?
-Në tërësi jam i kënaqur me këtë pozicion në renditje, por kam edhe pakënaqësi. Gjatë garës kemi bërë edhe disa gabime, në dukje të vogla, por që na penalizuan në pikë dhe na larguan shumë nga Vllaznia kryesuese.

Gjatë ndeshjeve të fazës së tretë, do ta sulmojë Dinamo kreun e Grupit A?
-Edhe në fazën e tretë Dinamo do të jetë serioze e konkurrente në garë. Vetë formula e kësaj faze të mban në ethet e garës, sepse përgjysmimi i pikëve është delikat nëse nuk luan sikundër deri tani. Rruga për kreun e grupit është e hapur dhe ne do ta tentojmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *