Arjen Roben njoftoi dorëheqjen e tij nga futbolli në vitin 2019, por vetëm një vit më vonë vendosi ti rikthehej përsëri fushës së blertë. Anësori holandez iu bashkua klubit të tij të parë, Groningenit, por sezoni nuk shkoi siç e priste. Mosha bën detyrën e saj dhe dëmtimi i uroi mirëseardhjen që në ndeshjen e parë. Por pas rekuperimit luan vetëm 15 minuta dhe një tjetër lëndim e lë jashtë për 27 ndeshje.
Tashmë periudha e vështirë është lënë pas krahëve dhe ka nisur përsëri aksionin, ndërsa në takimin e fundit dhuroi 2 asist. Por pavarësisht minutave e pikatore, kjo nuk e ndal Roben të ëndërrojë lart. Holandezi ka folur për “ESPN”, ku pohon se do e pranonte një ftesë nga trajneri De Boer për t’ju bashkuar Kombëtares për Euro2020.
“Unë do të shkoja. Do të ishte kënaqësi, por ju duhet të jeni realist, shumë i aftë dhe të dini që mund të kontribuoni në ekip. Në fund të fundit, Oranje është një hap përpara. Të shkuarit në Euro 2020 është diku në ëndrrat e mia të çmendura, por duhet të jem shumë i kujdesshëm sepse tashmë mund të shoh titujt e nesërm. Tani për tani nuk po them se dua të shkoj, por nëse ai [De Boer] do të telefonojë, unë do të thoja po”, është shprehur Arjen Roben./Halit Delibashi-Sport Ekspres/