Shtyhet kalendari i Kategorisë së Parë, licencimi problem madhor

0

Një kampionat ndryshe në të Parën, aty ku këtë vit garojnë bardheblutë, 24 herë kampionët e vendit. Në grupin A gara është shumë e fortë për Superioren

Vladimir Prenga

Kampionati i Kategorisë së Parë nis më 16 shtator, kjo është data e përcaktuar fillimisht nga Federata Shqiptare e Futbollit, ndërkohë që sot pritej të mësoheh rrugëtimi i skuadrave në kampionat. Për herë të parë në këtë nivel të futbollit shqiptar do të garojë edhe Tirana, 24-herë kampione e vendit, si asnjë klub tjetër. Një “mister” për bardheblutë, që tashmë duhet të luajnë nëntë finale, pasi në qytetet ku ata do të udhëtojnë do të jetë festë dhe mezi i presin, sidomos në Berat. Në fakt, me një lajmërim të momentit të fundit, Federata Shqiptare e Futbollit e ka shtyrë shortin për të mërkurën.

GARA E VRARË

Kjo është shumë e rëndësishme, por mund të lexohet fare lehtë që në grupin B është hapur krahu. Te Tirana në fakt nuk po e mendojnë se e kanë autostradë, teksa trajneri Ze Maria dhe ekipi po punojnë me seriozitet për të plotësuar objektivin e parë, rikthimin në Superiore. Presidenti Halili ia ka bërë të qartë objektivin stafit teknik dhe kërkon që Tirana të garantojë ngjitjen në elitë që në gjysmën e kampionatit dhe më pas të tentohet fitimi i Kupës së Shqipërisë. Apolonia duket e dorëzuar dhe do të vijojë me politikat e saj “low-cost”, ndërkohë që edhe presidenti Kapllanaj i Bylisit po mendon të ndërtojë ekipin për sezonin pasardhës dhe është fokusuar tek afrimi i lojtarëve të rinj e të talentuar. Pogradeci ka ruajtur një pjesë të mirë të ekipit, po i kanë ikur Bangura e Shkulaku, dy nga lojtarët më të rëndësishëm. Tomori pretendon diçka, por edhe ata janë koshientë që ngjitja në Superiore është një objektiv që zor të arrihet prej tyre. Sigurisht ndaj Tiranës e kanë detyrim të bëjnë gjithçka t’i ndalojnë, pasi për ta është një ndeshje inati. Turbina, Shkumbini, Iliria, Shënkolli dhe Naftëtari do të përpiqen të sigurojnë sa më shpejt mbijetesën, ndaj rivaliteti me Tiranën është një “tabu”.

Grupi B

Tirana, Bylis, Pogradeci, Tomori, Shkumbini, Shënkolli, Turbina, Apolonia, Iliria, Naftëtari

LUFTË NË VERI

Kastrioti ka hedhur kandidaturën për t’u ngjitur në Superiore dhe ka bërë disa afrime të rëndësishme, duke marrë lojtarë edhe nga Superiorja. Një hap pas tyre është edhe Egnatia, që veç ruajtjes së grupit ka marrë lojtarë me eksperiencë si Veliaj e Nako, që do t’u bëjnë shumë punë rrogozhinasve. Erzeni është sërish aty, pasi ka ruajtur pjesën më të madhe të ekipit dhe ka rikthyer Deliallisin, Goxhën dhe Rizvanin. Te Besëlidhja situata është e paqartë, pasi nga ekipi i vjetshëm kanë mbetur pak lojtarë dhe baza e ekipit janë vendasit dhe disa futbollistë nga Guinea, përjashtim bëjnë Sidibe e Kamara të huazuar te Flamurtari. Dinamo e mendon Superioren, por u duhen sërish afrime, ndërkohë që edhe Tërbuni ka pretendimet e veta. Për Vllazninë B ky kampionat i shërben për ekipin e parë, pasi në Superiore nuk i lejohet të ngjitet, ndërkohë që mbetet për t’u parë se çfarë do të Nexhat Bizhdili në krye të Besës. Për Burrelin qëndrimi në të Parën është objektivi i vetëm, ndërsa për Korabin ende nuk ka asnjë informacion se çfarë bëhet.

Grupi A

Korabi, Besëlidhja, Erzeni, Burreli, Kastrioti, Besa, Dinamo, Tërbuni, Egnatia, Vllaznia B

 

SKEMA
Modeli belg, ku pas dy fazave të para përgjysmohen pikët, nuk ka kaluar pa kontestime. Kamza që dominoi 2/3 e kampionatit vjet, rrezikoi të humbte mundësinë të ngjitej në Superiore, ndërkohë që llogaritë me laps e me letër të klubeve zor të shmangeshin. Federata bëri një veprim të mirë, duke mos i lënë në të njëjtin grup ekipet që financohen nga bashki të njëjta dhe Iliria e Shënkolli kaluan në grupin B. Vetë presidenti Duka është shprehur se kjo skemë mund të ndryshohet, por duhet pritur vendimi i Komitetit Ekzekutiv. Edhe vetë klubet e kanë kundërshtuar atë ndaj pritet me interes vendimi

Licencimi problem, mund të ketë shtyrje
Jemi mësuar çdo vit të shohim që kampionati i Kategorisë së Parë të shtyhet, ndërkohë që rekordi mund të jetë ai i vjetshmi, kur kampionati nisi më 24 shtator. Këtë herë është programuar të nisë më 16 shtator, por mund të ketë shtyrje të paktën me një jave dhe situata të jetë e njëjtë me vjet. Problem për disa klube janë licencimet e stadiumeve, teksa për momentin po kryejnë punime në stadiumin e Egnatias dhe të Tomorit, ndërkohë që pjesa e borxheve të vjetra është një problem më vetë, që i mbetet Federatës Shqiptare të Futbollit ta zgjidhë. Shpesh është bërë marrëveshje me klubet dhe Bashkitë kanë bërë pagesat e borxheve më këste, por sërish në fund është akumuluar një borxh i ri dhe situata përsëritet.

 

 

 

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.