Afron Milan-Shkëndija, emocionet janë të mëdha për gjithë shqiptarët, pasi kuqezinjtë nga Tetova zbresin në “San Siro” për turin play-off në Europa League dhe është një arritje e madhe për klubin kuqezi dhe gjithë shqiptarët.
Fitojnë apo humbin, tashmë kjo është në dorë të lojtarëve, që fundja e kanë bërë më së miri detyrën deri këtu dhe nuk u kërkon kush kualifikim ndaj Milanit legjendar.
Ndërkohë, klubi tetovar dje postoi një video fantastike duke krahasuar me humor Milanin me Shkëndijën, ndërsa sot është publikuar një video tjetër e bukur.
Tre aktorë: Vedat Bajrami, Ermal Mamaqi e Xhevdet Jashari, kanë bashkuar shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë, për të gjetur një strategji për të mundur Milanin.
Strategji nuk gjetën, por videoja është mjaft e këndshme dhe shton entuziazmin para Milanit.
Misioni i Shkëndijës për të ngjallur interesim të jashtëzakonshëm dhe për ta bërë klubin kuqezi mjaft popullor është realizuar me sukses të plotë.