Shqipëria U-17 / Flet Bulku: Kemi rivalë shumë të fortë, por duam të marrim sa më shumë pikë

0

Kombëtarja U-17 nisi këtë të hënë rrugëtimin në raundin kualifikues të “Europianit 2022” teksa 24 kuqezinjtë e thirrur nga trajneri Ervin Bulku janë grumbulluar në kompleksin Tropikal në Durrës.

Skuadra do të vazhdojë punën deri të dielën në Shqipëri për t’u nisur më pas drejt Irlandës së Veriut, aty ku do të luhen tre ndeshjet e Grupit 12 ndaj Italisë, Skocisë dhe Irlandës së Veriut.

“Në fakt, kemi dy lojtarë që janë dëmtuar javën e fundit. Pjesa tjetër pritet që të vijë sonte në darkë dhe grupi të jetë i plotë. Shpresojmë që dy lojtarë që pritet të marrin pasaportë shqiptare, t’i kemi të gatshëm.

Duke folur për Fshf.org në nisje të këtij grumbullimi, tekniku i 17-vjeçarëve shpreson që skuadra të japë maksimumin dhe të bëjë një paraqitje sa më të mirë në këto ndeshje. Gjithashtu, Bulku vlerëson edhe kundërshtarët që do të jenë përballë.

Mendoj që edhe këtë javë që do jemi këtu të grumbulluar do të bëjmë maksimumin, duke e ditur që I njohim kundërshtarët, sepse kemi informacionin e duhur për të gjithë kundërshtarët. Shpresojmë që djemtë të jenë në formë të mirë dhe të bëjnë më të mirën në ndeshjet që na presin në eliminatoret e Europianit”, – thotë Bulku, duke folur gjithashtu edhe për përzgjedhjet që stafi i tij ka bërë vazhdimisht me elementët më të mirë të kësaj grup-moshe.

“Unë dhe stafi dhe sektori i ekipeve kombëtare kemi bërë përzgjedhje gjatë gjithë vitit. Mendojmë që kemi marrë lojtarët më të mirë dhe që janë më në formë. Shpresojmë që të gjithë ta tregojnë këtë në ndeshjet në Europian.

Nuk më pëlqen të përdor emra të veçantë, se për mua të gjithë, përderisa janë pjesë e ekipit kombëtar janë të rëndësishëm, janë lojtarë që kanë vlera. Shpresojmë të ecin kështu në të ardhmen, që të jenë të vlefshëm për ekipin kombëtar A”, – thekson trajneri i Kombëtares U-17.

Në fund, Bulku flet edhe për objektivat që përfaqësuesja kuqezi do të ketë në këto eliminatore.

“Është e vërtetë që kemi kundërshtarë të fortë, që janë kundërshtarë si Italia dhe Skocia që kanë marrë gjithmonë pjesë në turin elitë të kësaj grupmoshe, por ne do të bëjmë maksimumin që të arrijmë të paraqitemi sa më mirë dhe pse jo të pretendojmë të marrim sa më shumë pikë dhe të jemi dhe ne në grupin e atyre skuadrave që do të marrin pjesë në Europian”, – deklaroi Ervin Bulku.

Kuqezinjtë janë grumbulluar në kompleksin Tropikal në Durrës, ndërsa më datë 24 tetor do të udhëtojnë drejt Irlandës së Veriut. Më datë 27 tetor do të zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Italisë. Më datë 30 tetor kuqezinjtë do të sfidojnë Skocinë dhe më datë 2 nëntor përballen më vendasit e Irlandës së Veriut.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.