Sebastian Toro e ka mbyllur me Laçin, të paktën kështu shprehet qendërmbrojtësi kilian i afruar në verë te kurbinasit. Lejekalimin ende nuk e ka marrë nga kurbinasit, ndërkohë që tregon në një prononcim të dhënë për “adnradio.cl” se nuk është paguar tre muajt e fundit.
“Klubi nuk ka një situatë të mirë financiare, prandaj vendosëm të mbyllim kontratën. Më detyrohen më shumë se tre paga. Klubi dhe drejtuesit u sollën shumë mirë me mua, por nuk kanë asnjë mënyrë për të më paguar”, tregon Toro.
Në fakt duket e çuditshme, duke ditur që kurbinasit kanë përfituar jo pak gjatë verës, pasi nga kualifikimi në Europa League kaluan në arkat e klubit rreth 500 mijë euro. Gjithashtu u shit te Lokomotiva e Zagrebit Myrto Uzuni, për të cilin me këste përfitohen 350 mijë euro.
Gjithsesi Toro duhet të gjejë një tjetër ekip dhe ka shumë pikëpyetje rreth së ardhmes. “Tani çdo gjë është e komplikuar. Nuk kam para për t’u rikthyer në këto kushte, por fatkeqësisht kështu shkuan gjërat. Këtu ishte mirë, qyteti ishte i qetë dhe njerëzit janë shumë miqësor. Javën tjetër duhet të kthehem dhe nuk e di se çfarë do të bëhet me të ardhmen time”, përfundoi mbrojtësi 28-vjeçar.