Goli i Shupos në të 48’ i jep trepikëshin Bjellorusisë, tonat “qajnë” rastet e humbura për shënim në të dy pjesët e lojës. Mbesin të fundit
Gjergj Vyshka
Shqipëria e futbollit të femrave e ka humbur dhe ndeshjen e dytë kualifikuese të vlefshme për Kampionatin Botëror “Francë 2019”. Ka mjaftuar një gol i Shupos në të 48’ që bjelloruset të merrnin trepikëshin e parë në këto kualifikuese, ndërsa vinin nga humbja në transfertë, 1-4 nga Polonia. Tonat, edhe pse vinin nga distafata me Zvicrën, në fushën e lojës dje ndaj bjelloruseve kanë qenë më të vendosura dhe meritonin më shumë. Rasti i parë i ndeshjes ka ardhur nga Krasniqi në të 21’, ndërsa ka pritur Voskobovish. Të njëjtën gjë ka bërë portieria bjelloruse edhe në gjuajtjen e Begollit në të 28’ dhe në të 29’, apo dhe në rastin e Franjes në të 41’. Por kur pritej një tjetër marsh në pjesën e dytë vjen ndëshkimi. Megjithatë në të 50’ Begolli i ka pasur të gjitha shanset për të barazuar. Pas golit në të 65’, Sherbashenia ka rrezikuar në portën e Zanit. Në fundin e lojës Kurbogaj në të 83’ dhe Doçi në të 85’, apo Bajramaj në të 90’+3 mund dhe duhet të kishin barazuar. Nga kërkesa për të shënuar tonat kanë lënë dhe hapësira, që për fat Kazekivsh dhe Slesarshik nuk kanë shënuar. Përfundimisht një humbje e pamerituar për Shqipërinë e futbollit të femrave, që mbetet në vendin e fundit në grup.
Bjellorusi – Shqipëri 1-0
Shënues: Shupo 48’
E martë, 19 shtator 2017, ora 18:00 (lokale) në stadiumin “FC Minsk”
Bjellorusia: Voskobovish, Beshten, Linik, Lutskevish (75’Kazakevish), Sherbashenia, Shupo, Urazaeva, Slesharshik, Novikova, Kubishnaja, Kapustina (46’Markushevskaja) Trajner: E.Demenkovets
Shqipëria: Zani, Curraj, Rrahmani, Bajraktari, Begolli, Bajramaj, Doçi, Gjini, Franja, Maliqi (76’Kurbogaj), Krasniqi Trajner: A.Grima
Gjyqtare: P.Bredi, M.O’Neil, O.Snejd (Irlandë)
Kartonë të verdhë: Shupo, Markushevskaja/Begolli