Shqipëria, golat, e majta magjike dhe Izraeli, Ahmedi “asist” edhe Panuçit

Valon Ahmedi vendoi që të linte Mariborin këtë verë, për të nisur një aventurë të re në Izrael. Mesfushori, i cili ka qenë edhe pjesë e Kombëtares kuqezi po mahnit me skuadrën e tij Ironi Kiriat Shmona. 24-vjeçari ishte protagonist mbrëmjen e djeshme me një gol dhe dy asiste në sfidën ndaj Sakhninit, duke treguar dhe një herë se është në një moment mjaft të mirë. Një sinjal për Kristian Panuçin, i cili duhet të hedhë sytë dhe nga lojtari i lindur në Ohër.

Në një intervistë për “SportEkspres.com”, Ahmedi tregon aventurën e re në Izrael. Mesfushori e pranon se atje luhet një futboll më fizik se në slloveni. Nuk mund të liheshin jashtë vëmendjes komentet që kishte marrë për ndeshjen mes Kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Izraelit.

Si po shkon aventura në Izrael, duket se je  përshtatur shumë mirë dhe je kthyer në lojtar shumë të rëndësishëm për ekipin?
Të them të drejtën gjithçka po shkon shumë mirë. Klubi dhe shokët e skuadrës më kanë respektuar që ditën e parë dhe më vlerësojnë shumë. Kjo gjë më bën shumë të lumtur dhe është një motiv më shumë për të ardhmen.

Si është niveli i futbollit aty, edhe çfarë diferencash ka me Mariborin, ekipin tënd të fundit?
Niveli i futbollit në Izrael është shumë i fortë. Stadiumet janë të mbushura me tifozë. Luhet futboll i shpejtë dhe shumë fizik. Diferenca me kampionatin slloven mund të them vetëm nga ana fizike, këtu luhet më shumë fizikisht.

Ndeshja e fundit ishte fantastike për ty, gol dhe dy asist. Mund të themi se je në formën tënde më të mirë?
Mund të them se po. Ishte një ndeshje fantastike.

Çfarë të thanë trajneri dhe shokët e ekipit, apo edhe tifozët pas ndeshjes?
Trajneri më përgëzoi dhe më tha që ky është vetëm fillimi për mua. Shokët e ekipit që nga dita e parë në stërvitje më kanë thënë që kam një të majtë magjike, diçka që ma thanë dhe pasi shënova golin. Edhe tifozët kundërshtar më duartrokitën dhe kjo gjë më bëri të ndihem mirë. Them se ishte një goditje shumë e mirë.

Cilat janë objektivat personal të Valonit, por edhe ato të ekipit në këtë sezon?
Objektivat personale janë që të jem i suksesshëm personalisht, ashtu si dhe me ekipin. Dua që të bie në sy dhe pse jo në një nga klubet më të forta këtu, por dhe në një kompeticion ndërkombëtar.

Si po të duket jeta në Izrael?
Izraeli më ka habitur të them të drejtën. Koha është shumë e mirë, është mjaft nxehtë. Gjithçka është shumë e organizuar dhe për një futbollist kjo është shumë kryesore.

Ka kaluar një vit nga aktivizimi i fundit me ekipin Kombëtar, a të mungon?
Për Kombëtaren jam i gatshëm në çdo sekondë, diçka që nuk vihet në diskutim. Shpresoj me punë dhe me paraqitje të mira të rikthehem dhe të jap kontributin tim.

 

A ke biseduar me trajnerin Panuçi dhe e pret një ftesë në vazhdim, duke parë formën dhe paraqitjet?
Jo, nuk kam folur, por siç e thash dhe më lart jam i gatshëm në çdo moment për Kombëtaren.

Pas ndeshjes Izrael-Shqipëri, ku Kombëtarja humbi, çfarë komentesh more nga shokët e ekipit dhe miqtë aty?
Të them të drejtën të gjithë më thanë që Shqipëria ka një ekip shumë të mirë, por atë natë nuk pati fat, duke nisur që nga pësimi i golit të parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *