Duhej të fitonim, e bëmë. Duhej fitore sa më bindëse dhe pa sforcim, këtu stonuam. Shqipëria ka mposhtur sot Lihtenshtejnin 2-0, në një ndeshje me dy fytyra.
Debutimi i Kristian Panuçit në stolin kuqezi shkoi mbarë, të paktën në pjesën e dytë.
Pa Sadikun në sulm, Panuçi i besoi Llullakut, mbështetur nga Roshi e Grezda. Pjesa e parë ishte e dobët, me dominim territorial e shumë goditje nga këndi, por shumë pak rreziqe në portën kundërshtare dhe një ritëm mediokër.
Në pushim Panuçi me siguri ka gjëmuar në dhomat e zhveshjes, sepse Shqipëria doli e transformuar në fushë, shtoi presionin dhe në minutën e 54-t Roshi gjeti golin zhbllokues, duke devijuar gjuajtjen e Bashës.
Aq u desh që kombëtarja kuqezi të qetësohej dhe dominimi erdhi në rritje, derisa kapiteni Ansi Agolli gjeti golin që mbylli sfidën, në minutën e 78-të.
Sukses i merituar, me një pjesë të dytë perfekte, por Panuçi ka punë për të bërë para Maqedonisë.
Botërori 2018/ Kualifikuese
E shtunë, ora 18.00, Elbasan Arena
Shqipëri – Lihtenshtejn 2-0
Shënues: Roshi 54′, Agolli 78′
Shqipëri: Berisha – Hysaj, Mavraj, Ajeti, Agolli – Basha, Abrashi (Hyka 83′)– Grezda ( Ahmedi 86′), Memushaj (Kukeli 77′), Roshi – Llullaku. Të gatshëm: Alban Hoxha, Strakosha, Balliu, Lila, Gjimshiti, Veseli, Memolla, Latifi, Sadiku
Lihtenshtejn: Jehle – Gëpel, Malin, Kaufman, Kuintans (Jildiz 79′) – Martin Byhel – Salanoviç, Hasler, Vizer, Burgmajer (Brendël 79′) – Janik Frik. Të gatshëm: Majer, Hobi, Fabio Volfinger, Livio Majer, Erne, Matias Sele, Hofer, Sandro Volfinger, Riter, Aron Sele
Kartonë të verdhë: Malin 16′, Kuintans 62′, Kaufman 69′, Byhel 82′
Gjyqtarë: Sergei Lapoçkin (RUS), Aleksei Lebedev (RUS), Aleksei Lunev (RUS), Mihail Vilkov (RUS)