“Shpresoj që Partizani të ndjekë kritikat e mia“, Dosti: Dinamo po zhytet në fund të detit dhe nuk do dali më, duhet një mrekulli për ta shpëtuar

Edmond Dosti ka dhënë një intervistë për emisionin “Sport Magazine” të moderuar nga gazetari Drilon Xhepollari dhe të transmetuar në “Ora News“. Ish-futbollisti shqiptar ka komentuar ecurinë e ekipit të tij të zemrës, Partizanit, të cilin e sheh në rrugën e duhur drejt sigurimit të objetivit “Europë“. Gjithashtu Dosti ka analizuar situatën për fundin e tabelës, ku sheh Dinamon dhe Skënderbeun që në fund të sezonit do i duhet të përshëndeten me “Abissnet Superioren“.

Fitorja e Partizanit

“Partizani me fitoren ndaj Laçit ka bërë një hap shumë të rëndësishëm përpara për të qenë pretendent për në Kupat e Europës. Fitorja ndaj Laçit i ka dhënë edhe më shumë kurajo ekipit të Partizanit, që në javët e fundit po bën mirë dhe me ndihmën e trajnerit. Akoma nuk është arritur asgjë. Shpresojmë që Partizani të vazhdojë me këtë ritëm, me fitore, sepse lu.fton në dy vende, si për Kupën ashtu edhe në kampionat për të zënë vendin e tretë, i cili të dërgon në Kupat e Europës“.

Partizani për sezonin e ardhshëm

“Për të dalë kampion, të duhen lojtarë kampionë dhe patjetër që Partizani me këtë ekip që ka duhet të jetë pretendent për vitin tjetër, por patjetër që i duhen të paktën tre lojtarë që bëjnë diferencën. me këte ekip nuk besoj që vitin tjetër Partizani do të jetë pretendenti kryesor për fitimin e kampionatit. Megjithatë Partizani ka një gjë të mirë, sepse ka lojtarë shumë të rinj që po japin shumë te Partizani dhe janë ata  që po zgjidhin ndeshjen. Shpresoj që këtë vit paria e Partizanit të ketë në vëmendje ato kritika që i kam bërë unë Partizanit“.

Gara për të qendruar në “Abissnet Superiore“

“E kam thënë edhe më përpara se Kastrioti nuk do jetë pretendenti për të rënë nga kategoria. Presidenti dhe drejtori i Kastriotit, bashkë me trajnerin e ri që kanë marrë, kanë bërë një ekip solid. Një ekip që luan mirë futboll, luajnë fort dhe në çdo ndeshje po japin më të mirën e tyre. Edhe rezultati po vjen. Problemin kryesor për rënien nga kategoria do e kenë Dinamo dhe Skënderbeu. Duke parë Egnatia dhe Kastrioti nga java në javë po bëjnë shumë mirë, do jetë më pak e vështirë për këto të dyja se sa për Dinamon“.

Dinamo

“Po bie në gjendje të lirë. Po zhytet poshtë detit dhe nuk po del më, nuk do dali më. Problemi është se aty duhen ndërruar shumë gjëra, por nuk është momenti dhe koha. Nuk e ndihmon Dinamon, sepse duke parë kalendarin, ka një kalendar shumë e vështirë. Duhet të ndodhi një mrekulli që Dinamo të fitojë të paktën mbi 20 pikë që mbase të ketë shansin për të qendruar. Por për mua do jetë e vështirë dhe le të jetë një mësim i mirë, jo vetëm për Dinamon, por për të gjitha ato ekipe që futen në Superiore të kenë kujdes për zgjedhjen e lojtarëve dhe parinë që marrin, që nga trajneri e deri te drejtori teknik dhe menaxherët. Duhet të kenë kujdes. Gjithë ai investim po shkon dëm dhe kjo nuk është në të mirën e futbollit shqiptar. Dinamo i duhet futbollit shqiptar dhe fatkeqësisht shohim që do bjeri nga kategoria në këtë gjendje”, ka deklaruar Edmond Dosti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *