Sot, ndeshja me Eibarin / Trajneri i Barcelonës mendon se një veteran do ta kishte shmangur dëmtimin e francezit. “…Por kam disa opsione”
Barcelona ka qenë e përkryer deri tani në La Liga, por problemi më i madh i momentit është Osman Dembele, i dëmtuar në ndeshjen e fundit me Getafen në kofshë. Mesfushori francez do të mungojë për rreth katër muaj dhe ky është një shqetësim i pashmangshëm për trajnerin Ernesto Valverde, i cili në konferencën për shtyp para ndeshjes së sotme me Eibarin theksoi një gjë e cila nuk u mendua në fundjavë lidhur me dëmtimin e 20-vjeçarit. Sipas teknikut, i cili këtë sezon e ka të parin në stolin e katalanasve, asnjë futbollist me përvojë nuk do ta kishte pësuar atë dëmtim. Valverde theksoi se Dembele dëmtoi veten me atë gjuajtje të topit me thembër. “Rikuperimi është gjëja më e vështirë për çdo futbollist. Mendoj se Dembele ka gabuar. Një futbollist, kur bën streçing, prek gjithmonë gjunjtë, bicepsin dhe kështu me radhë. Osman dihet se është një futbollist pa historik në lidhje me dëmtimet muskulore, ndaj nuk ka përvojën e duhur të identifikojë ndonjë shqetësim muskulor. Ai u dëmtua duke gjuajtur me thembër. Një veteran do ta kishte lënë topin të dilte jashtë”, – u shpreh tekniku. I pyetur se kush mund ta zëvendësojë djaloshin, Valverde përmendi disa emra. “Në fakt, kemi disa lojtarë që mund të luajnë në pozicionin e tij. Gerard Deulofeu, Aleiks Vidal, Denis Suarez dhe Andre Gomes janë disa nga alternativat tona nga stoli, kështu që do ia dalim”.
Klauzola
Për shkak të dëmtimit, Dembele do të humbë 50 ndeshje me Barcelonën këtë sezon. Kjo do ta lejojë klubin katalanas të kursejë 10 milionë euro, për shkak të një klauzole të përfshirë në transferimin e 20-vjeçarit nga Barcelona. Siç ka sqaruar “Bild”, një nga klauzolat e kontratës thekson se Barça do të duhet të paguajë 10 milionë euro pas 50 ndeshjesh të Dembelesë si katalanas. Kjo për ca kohë nuk do të ndodhë, kështu që “pagesa” do të nisë të llogaritet diku nga shkurti apo marsi. Dembele aktualisht është në Finlandë, ku do të duhet t’i nënshtrohet operacionit në kofshë.