Shpëtimi i Laçit, merkatoja e janarit ishte çelësi

0

Vladimir Prenga

Laçi bëri disa lëvizje në merkaton e janarit dhe ato rezultuan të suksesshme, pasi lojtarët e afruar përforcuan ekipin, si dhe i dhanë pikë të rëndësishme skuadrës, sigurisht që meritë ka e gjithë skuadra. Sulmuesi kryesor, ganezi Emanuel Mensah, realizoi katër gola në dy fazat që luajti me Laçin, duke qenë edhe shënuesi më i mirë i kurbinasve këtë sezon. Tre prej golave të sulmuesit kanë pasur vlerë, teksa i ka dhënë tre pikët bardhezinjve në sfidën ndaj Teutës dhe ndaj Tiranës, ndërkohë që ndaj Vllaznisë realizoi golin e tretë të takimit. Për statistika ishte goli në humbjen 5-1 ndaj Skënderbeut. Në sulm u afrua edhe Serxhio Zhunior, i huazuar nga Skënderbeu. Braziliani realizoi vetëm një gol, por ndoshta ishte nga më të rëndësishmit, pasi i dha fitoren skuadrës së tij në ndeshjen me Luftëtarin në minutën e 92-të. Nëse nuk vinte ai gol, atëherë shpresat e skuadrës së drejtuar nga Stavri Nica për të mbijetuar shuheshin.

MESFUSHA – Rikthimi i kapitenit Vucaj ishte i rëndësishëm për Laçin, teksa shkodrani u pa mjaft aktiv dhe i tjetërsuar nga ajo që kemi parë te Tirana apo te Flamurtari. U rikthyer sërish lider dhe rigjeti golin pas shumë kohësh, duke hapur rrugën e fitores ndaj Vllaznisë. Një tjetër shkodran erdhi nga Tirana te Laçi dhe ai është Ansi Nika. Mesfushori anësor shënoi një gol për kurbinasit, atë ndaj Flamurtarit në Laç, duke i dhënë tre pikët skuadër së tij. Tre pikë të vlefshme për bardhezinjtë. Fjoart Jonuzi është surpriza e bukur, sigurisht për ata që nuk e njihnin, pasi me moshat e Kukësit ai kishte spikatur, duke u bërë edhe pjesë e Shqipërisë U19. Me verilindorët nuk kishte hapësira dhe në janar iu bashkua Laçit, ku u aktivizua në 17 ndeshje, nga 18 në total që kishin dy fazat e fundit të kampionatit. Mesfushori arriti të shënojë tre gola, një në Gjirokastër, kur i dha një pikë kurbinasve, shënoi në Kukës në një ndeshje që bardhezinjtë e humbën, por zhvilluan një lojë mjaft të mirë. Jonuzi e mbylli sezonin me gol, teksa shënoi golin e avantazhit në sfidën me Teutën të shtunën. Afrim tjetër te Laçi ishte mesfushori Bekim Dema, i cili ka luajtur në pak ndeshje, por në sfidën me Partizanin prania e tij ishte e rëndësishme, pasi kishte shumë mungesa dhe mesfushori shkodran dha kontributin e tij në atë barazim 0-0 që e mbajti në garë skuadrën e tij për mbijetesën

MBROJTJA – Blazho Rajoviç ishte një nga goditjet e merkatos bardhezi, por mbrojtësi malazez e mbylli sezonin që në debutim me Korabin, pasi këputi ligamentin. Një humbje e rëndësishme për kurbinasit, që në janar kthyen në skuadër edhe Taulant Sefgjinin, i cili mbajti edh shiritin e kapitenit në përballjet që mungonte Vucaj. Lojtari i linjës së majtë u aktivizua në 12 ndeshje, por duhet përmendur se mungoi për disa javë për shkak të një dëmtimi.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.