Shpëtim Duro bën “orakullin” e sfidës: Partizani ka stabilitet, fiton ndaj Kukësit

Duke qenë ish-futbollist e trajner i Partizanit, Shpëtim Duro nuk e mendon asnjëherë që të shkëputet nga kjo skuadër, edhe pse momentalisht drejton kampionët në fuqi të Superligës Kosovare, skuadrën e Dritës. Për “SportEkspres.com”, Duro deklaroi se Partizani është skuadër më e stabilizuar nga Kukësi, dhe sfidën nesër nuk e ka të vështirë ta fitojë.

Shpëtim Duro i përket brezit të futbollistëve në vitet 1977-1990, ndërsa ka rreth 25 vite si trajner ku ka drejtuar skuadra të elitës në Superioren shqiptare dhe në Superligën e Kosovës, ndërkohë që për dy vite ka qenë edhe zëvendëstrajner i Kombëtares tonë të futbollit. Aktualisht drejton skuadrën Drita në Superligën e Kosovës, e cila është kampionia në fuqi.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Aktualisht jeni në stolin e Dritës në Superligën e Kosovës, po Superioren shqiptare e keni ndjekur në këtë periudhë?
-Patjetër që e ndjek, sepse futbolli shqiptar është dashuria e karrierës sime. Ngarkesa këtu te skuadra e Dritës, si kampione në fuqi në Superligën e Kosovës, është e madhe, por kur ka ndeshje të Superiores oraret tona kombinohen. Në tërësi, i kam ndjekur të 16 javët e luajtura.

Ndiqni më shumë skuadrat që ju keni drejtuar si trajner, apo në tërësi të gjitha ndeshjet e javës?
-Thuajse të gjitha ndeshjet i ndjek javë pas jave, por duke qenë se unë jam prodhim i Partizanit, te kjo skuadër fokusohem kryesisht. Aq më shumë që në këtë sezon është duke bërë figurën më të mirë në 25 vitet e fundit, e mendoj se është momenti që të rikthehet te trofeu që i ka munguar.

Për 16 javët e luajtura, ju si e vlerësoni Partizanin?
-Partizani në këto 16 javë kampionat ka ecuri pozitive, jo vetëm se renditet me meritë në vendin e parë. Është skuadër më e kompletuar dhe e stabilizuar, por tregohet një skuadër që bind në kreun e renditjes. Unë ndjehem shumë optimist se këtë sezon do të jetë skuadra kampione e Superiores.

Të premten Partizani pret Kukësin, rivalin për titullin, si e shikoni këtë sfidë?
-Është një ndeshje rivalësh mes dy skuadrave më të mira në Kategorinë Superiore. Por Partizani ka më shumë stabilitet e qëndrueshmëri në këto 16 javë, ndërsa Kukësi ka pasur shumë oshilacione dhe vetëm në tre javët e fundit ka treguar përmirësim. Partizanin e shoh favorit.

Ndeshjet e tjera të javës së 16-të i parashikoni të vështira, apo brenda normalitetit të tyre?
-Asnjëherë nuk mund të thuash se ka ndeshje të lehta, që nga java e parë e deri në fund të kampionatit. Kështu edhe këtë javë, ku Tirana do ta ketë të vështirë në Laç e po kështu Teuta në Krujë. Flamurtari është më i avantazhuar me Kamzën, si edhe Skënderbeu ndaj Luftëtarit.

Edhe dy javë dhe mbyllet faza e dytë e Kategorisë Superiore, mund të kemi surpriza në renditje?
-Natyrisht që po, sepse janë 18 ndeshje me 54 pikë brenda dhe gjithçka mund të ndodhë. Futbolli prandaj është i bukur edhe për surprizat që ofron, por besoj se kjo do të jetë “lufta”: gjashtë skuadrat e para që do të luftojnë për titullin dhe Europën, dhe katër të fundit për mbijetesën.

Po Partizani çfarë duhet të bëjë ndryshe në fazën e tretë dhe të katërt që të mbajë kryesimin?
-Mendoj se Partizani duhet të ketë vazhdimësi në këtë stabilitet që ka treguar në dy fazat e para. Është një skuadër e kompletuar në çdo repart, e duke pasur parasysh merkaton e dimrit me ndonjë përforcim, në dy fazat e tjera Partizani duhet të mbajë këtë ritëm në krye të Superiores.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *