Vazhdojnë polemikat për ndëshkimin e Kristiano Ronaldos me karton të kuq në ndeshjen përballë Valencias. Portugezi provoi për herë të parë në Champions kartonin e kuq, ndërsa e motra ka reaguar me një postim të gjatë të bërë në rrjetet sociale.
Katia Aveiro, e cila ka profesionin e këngëtares, kishte publikuar më parë një postim në rrjetet sociale, ku mbronte vëllain e vogël, por hasi në reagimin dhe fyerjen e shumë personave, që komentuan në faqen e saj. Katia është rikthyer me një postim të gjatë, ku tregon krenarinë e saj për Kristianon dhe flet me fjalët e një motre shumë të dashur.
Komenti i plotë i Katia Aveiros
“Ka disa gjëra nuk do i kuptoj kurrë, nuk është normale të mbroj atë të cilit i besoj? Vëllain tim? E mbroj, diskutoj dhe është qesharake që e quani anormale diçka të tillë. Shpeshherë e bëj privatisht, por sot e ndjej ta bëj publikisht, sepse padrejtësia që ka pësuar ishte publike. Shumë njerëz në këtë botë nuk e dinë se çfarë është dashuria, por do të luftoj kundër atyre që tentojnë t’i bëjnë keq dashurisë time. Çdo lot që ka derdhur është një dhimbje në zemrën time, që është plagosur gjithashtu. Do thërras me zë të lartë atë që ndjej në shpirt (askush nuk është i detyruar të shohë, ose dëgjojë), jeni dakord apo jo? Pak më intereson, por ai është jeta ime, kemi lindur nga e njëjta nënë dhe baba. Padrejtësia të dhemb dhe jam e shqetësuar për një profesionist, një njeri që e respekton futbollin si pak të tjerë, për një njeri që jep zemrën për sportin, për të cilin është mbreti. Është e turpshme të më kërkoni të mos ndjej atë që ndjej (unë dhe shumë vëllezër jo të gjakut, por që ndjejnë njësoj padrejtësinë). Do i mbroj deri në fund të ditëve të mia, atë dhe njerëzit e mi të dashur, kemi qarë dhe jemi lënduar të gjithë, prandaj po ankohem. Do të jem e indinjuar derisa dhimbja të kalojë. Më vjen keq, por vetëm unë e di se çfarë po kaloj. Luftëtari im, shembulli im si vëlla, djali, babai dhe miku…je një profesionist i një planeti tjetër dhe askush nuk do të mund të shkatërrojë…respekt për atë që punon, respekt për futbollin, respekt për profesionistin…nënshkruar nga motra më krenare në botë…”