Portieri i Bajernit, Manuel Nojer, e ka quajtur interesant shortin e skuadrës së tij në grupin B, por duke theksuar se çdo skuadër ka karakteristikat e veta dhe duhet përgatitje në maksimum, pa nënvlerësime. “Grupi më duket interesant. Për mua është hera e parë qe do të përballem me PSG dhe Selltikun. PSG është skuadër e fortë, Selltiku ka një tifozeri të zjarrtë, ndërsa belgët janë një kundërshtar jo i lehtë”, – ka deklaruar kapiteni i bavarezëve.
“Synimi ynë është të fitojmë grupin, por PSG është kundërshtar serioz. Do të jetë një test i mirë për ne. Jam i lumtur që nuk kemi udhëtime të gjata këtë vit”, – ka shtuar qendërmbrojtësi Mats Humels.
Tomas Myler gjithashtu po i pret me padurim ndeshjet e grupit të Bajernit, sidomos atë me Selltikun dhe jo pa arsye. “Kemi disa skuadra të forta në grup. Do të jetë një ndeshje e bukur në ‘Celtic Park’ nga tifozët e zjarrtë. Qëllimi ynë është fitimi i grupit, kjo nuk diskutohet. Edhe ndeshjet me PSG-në do të jenë madhështore, por besoj se për këto mund të flasin më mirë mediet se unë”, – ka deklaruar gjermani.