Vasil Shkurtaj ishte shqetësimi i Armando Cungut pas ndeshjes me Kamzën. Sulmuesi qendror i ekipit kuksian pati pësuar një lëndim në dorën e djathtë gjatë një përplasjeje në atë takim. Gjithsesi ai sakrifikoi dhe qëndroi në fushë, pavarësisht dhimbjeve që kishte.
Pas ndeshjes Shkurtaj deklaroi se do të bënte kontrollet mjekësore. Pasi i kreu ato, u zbulua se kishte një krisje në dorë. Fatmirësisht mund të luajë, duke vendosur një mbrojtëse në dorë. Sulmuesi është bashkuar sot me skuadrën dhe është fotografuar me pjesën tjetër të ekipit në ambientet e palestrës ku kanë kryer seancën stërvitore të paradites. Sikurse edhe shihet në foto, vlonjati do të mbajë një mbrojtëse në dorë, siç bëri edhe braziliani Uilliam Kordeiro javët e fundit.
Shkurtaj u zhbllokua në fundjavë, duke shënuar edhe golin e parë të takimit në fitoren 3-2 që Kukësi regjistroi kundër skuadrës periferike të kryeqytetit. Tashmë pritet që ai të vijojë të japë kontributin e tij për verilindorët, që kanë edhe objektiva madhorë këtë sezon.