Milan Shkriniar është i grumbulluar me kombëtaren e Sllovakisë, por mbrojtësi i Interit flet për klubin e tij, objektivat e këtij viti dhe grupin e Champions, ku do të përballet me Mesin dhe Barcelonën, por dhe një ekip të fortë si Totenhemi. 23-vjeçari ka kaluar dëmtimin e pësuar në fillim të sezonit dhe gjatë përballjes me Bolonjën, ai nuk ndjeu dhimbje dhe zhvilloi një ndeshje pozitive.
Fitorja – “Ndihem mirë dhe e kam hedhur pas krahëve dëmtimin. Kundër Bolonjës na shkoi çdo gjë mirë dhe mund ta vlerësoj si ndeshje pozitive. Dëshironim fitoren për të kaluar zhgënjimin e dy ndeshjeve të para dhe ia arritëm. Tani duhet të rikuperojmë pikët e humbura dhe të kthehemi të fortë.”
Objektivi – “Vitin e kaluar kishim objektivin për t’u rikthyer në Champions dhe ia dolëm. Duam të jemi përsëri në këtë kompeticion, por të shohim se çdo të ndodhë. Objektivi në Champions është kalimi i grupit.”
Sllovakët në Seria A – “Hanko (Fiorentina) dhe Mraz (Empoli) arritën të vijnë këtu dhe kjo është një gjë e bukur. Pres që lojtarë të tjerë sllovakë të vijnë në Serinë A.”
Ronaldo-Mesi – “Ronaldo ka ndihmuar gjithë futbollin italian dhe kampionati do të shihet nga më shumë njerëz. Me Mesin jam përballur në një miqësore, kur isha pjesë e Sampdorias, por në Champions do të jetë diçka tjetër. Mezi po pres të përballem me Mesin dhe Ronaldon dhe shpresoj që të jem në formë të mirë.”
Grupi i Champions – “Është një grup interesant, por ka një grup që është akoma dhe më i bukur, grupi i Hamshik. Ishim në vazon e katërt dhe nuk mund t’i zgjidhnim kundërshtarët. Do të luajmë ndeshje të bukura dhe mezi po e pres diçka të tillë. E dimë të gjithë që Barcelona është favoritja kryesore, por dhe Totenhemi është një ekip i fortë. Marrin pjesë në Champions prej tre vitesh dhe janë po i njëjti grup lojtarësh. Të luajmë përballë tyre ndeshjen e parë në shtëpi është një dizavantazh për ne. Nëse bëjmë mirë në stadiumin tonë, mund të jetë një trampolinë e mirë për ndeshjet e radhës.”