Interi zhvilloi një pjesë të parë shumë të mirë, por aq nuk mjafton për të mposhtur një ekip si Juventusi. “Predha” e Naingolan u barazua nga një gol i bukur i Kristiano Ronaldos në pjesën e dytë.
Të dy ekipet ndanë nga një pikë, ndërsa Dejan Stankoviç ka analizuar sfidën dhe ka një lajm të mirë për tifozët zikaltër. Ish-mesfushori zikaltër ka folur për “DAZN”, aty ku vlerëson paraqitjen e Interit në 45-minutëshin e parë dhe komenton dyshen Shkriniar-Ikardi.
“Pjesa e parë u dominua nga Interi, ndërsa në të dytën doli në pah krenaria e Juventusit. Pamë dy pjesë loje të ndryshme, nga një për skuadër. Shkriniar bëri një ndeshje të madhe, por duhet ta lexonte më mirë aksionin e golit të Ronaldos. Ikardi? Merr pjesë në lojë, po jo shumë. Kundër Juves ishte aktiv, por i mungoi goli. Interi duhet të sigurojë kualifikimin në Champions. Drejtuesit po bëjnë një punë të madhe për të përforcuar ekipin. Di të them që do të shijojmë shumë surpriza këtë verë”, përfundon Dejan Stankoviç.