Korçarët mposhtin liqenorët e Pogradecit. Vendosin dy gola të blerjes së verës. Trajneri Daja provoi më së shumti linjat e dyta
Të fitosh të ndihmon… të fitosh! Nëse ulesh në një tavolinë ku janë shtruar shumë gjëra të mira, nuk mund të ndalesh pa o ngopur dhe barku i futbollistëve të Skënderbeut është ende bosh, ose më saktë, nuk është fryrë aq sa mendohej… Në dekadën e fundit, ekipi korçar ka fituar plot gjashtë tituj kampionë radhazi, teksa ka shkruar historinë, në dy raste: kualifikim në grupet e Europa League duke kaluar nga play off i Champions dhe duke kaluar plotë katër ture (turi i parë, i dytë, i tretë dhe play-off) në Europa League. Dhe, çdo vit, bardhekuqtë bëjnë një mini revolucion.
Miqësorja – Kampionati do të nisë në datën 8 shtator, por skuadra e drejtuar nga Daja, pas një mini pushimi, ka rinisur punën dhe menjëherë, për të treguar se edhe me linjat e dyta është një skuadër konkurruese, ka mposhtur fqinjët e Pogradecit me rezultatin 2-0.
Edhe pse bëhej fjalë për një test me një skuadër që luan në Kategorinë e Parë, sigurisht që vlen për të nxjerrë udhëzime. Edhe pse ndeshja u luajt në një orar të pazakontë (ora 10:30), rezultati nuk i ka interesuar aspak edhe trajnerit Ilir Daja, pasi edhe vetë ai e pranoi që ekipi është i lodhur, por më shumë ka parë edhe gjendjen e disa futbollistëve të rinj që kanë mbërritur te Skënderbeu ditët e fundit dhe që nuk kanë mundësi që të aktivizohen asnjë minutë të vetme.
Dhe, ashtu si shpresonte Daja, protagonist ka qenë një ndër blerjet e reja të kësaj vere, Donjet Shkodra, i ardhur nga Flamurtari. Një rezultat final (2-0) i mbyllur. Ka debutuar menjëherë sapo ka mbërritur në Korçë edhe mbrojtësi kosovar Fidan Aliti, lojtar që ka luajtur si mbrojtës i krahut të majtë dhe që në fakt ka bërë një paraqitje të mirë edhe pse ishte vetëm ndeshja e tij e parë me fanelën bardhekuqe. Pas kësaj fitoreje Skënderbeu tani duhet të mendojë për startin e sezonit të ri, teksa të mërkurën e ardhshme do të luajë ndaj Mamurrasit për Kupën e Shqipërisë dhe dy ditë më vonë, në datën 8 shtator, do të startojë Superligën e re ndaj Flamurtarit në Korçë.
Formacioni – Pavarësisht mungesave të shumta, trajneri Ilir Daja dje në startin e pjesës së parë rreshtoi në fushë ekipin e tij me skemën 4-1-2-3, ku në mbrojtje përveç, Vangjelit dhe Radas, risitë kanë qenë kthimi i Osmanit në qendër dhe Aliti në të majtë. Bruno Dita ka qenë përpara mbrojtjes, ndërkohë që Lulaj dhe Shkodra ishin në repartin e mesit të fushës për të kontrolluar lojën. Në sulm Gavazaj dhe Xhejms bënë krahët, ndërkohë që Ali Soue ishte pyka në majë të sulmit. Në fakt pjesa e parë ka pasur raste të shumta shënimi për Skënderbeun, teksa qysh në minutën e 4-t është Gavazaj që nga e djathta shërben për Shkodra, që gjuan dhe pret portieri Mali. Në të 17-ën minutë është po Shkodra që gjuan po nga largësia, por sërish topi ndalet nga portieri pogradecar. 13 minutat e fundit të kësaj pjese ishin me raste të shumta, ku së pari Soue për pak sa nuk shënoi, por vetëm 5 metra larg portës rrëshqet duke humbur ekuilibrin. Në të 35-ën minutë është Lilaj që jep një Asis për Ali Soue, por sërish “gardiani” Mali bën mrekullinë me grushtimin e topit në këndore. E 39-ta minuta sjell një tjetër moment të mirë për Gavazaj, por që deri në këtë moment miqtë duhet të falënderojnë portierin e tyre për pritjet e shkëlqyera që ka bërë. Duhet të vinte minuta e 44-t që Skënderbeu të kalonte në avantazh. Është Shkodra i cili në një aksion e sipër gjuan nga largësia dhe topi përfundon në rrjetë. 1-0 për Skënderbeun. Kur u duk se ky fraksion loje do të mbyllej me këtë rezultat, në minutën e parë të shtesës ka goditje dënimi nga mbi 30 metra larg për Skënderbeun. E merr përsipër Shkodra që nxjerr nga “arsenali” i tij një “perlë” dhe topi përfundon në trekëndëshin e djathtë të portës mike. Pjesa e parë mbyllet 2-0 për Skënderbeun me dy gola në limit.
Pjesa e dytë – Fraksioni i dytë i ndeshjes nis me ndërrime të shumta nga të dy skuadrat, teksa trajneri Daja vendos që qysh në start të aktivizojë, Muzakën për Shkodra, Gripshi për Radas, Demte për Xhejms dhe Lulaj për Osmani. Kjo sjell ndryshime edhe në vendosjen në fushë të futbollistëve, ndërkohë që pak minuta më vonë vjen radha edhe për të tjerët për t’u futur në fushë. Ndërime të shumta kryhen edhe trajneri i Pogradecit, Festin Fetollari dhe për pasojë loja nuk ka ritmin e pjesës së parë, teksa edhe rastet janë me pikatore. Vlen të theksohet në këtë fraksion loje, loja e mirë e Sahitit nga krahu i djathtë, ndërkohë që vetëm dy moment ka pasur ky 45 minutësh. Në minutën e 64-ër është Gripshi që shërben nga krahu i majtë i sulmit dhe topi shkon në zonë për Lulaj që gjuan me kokë por jashtë. Rasti i fundit do të ishte në të 73-ën minutë teksa Demte provon nga largësia, por topi përfundon mbi traversë. Pjesa e dytë mbyllet me rrjeta të paprekura, duke bërë që të mbeten në fuqi ato dy gola të pjesës së parë dhe në këtë mënyrë Skënderbeu fiton pastër 2-0 në testin e djeshëm ndaj fqinjëve pogradecarë, ekip që do të luajë edhe këtë sezon në Kategorinë e Parë.
Skënderbeu – Pogradeci 2-0
Shënues: Shkodra 44’, 45+1’
Skënderbeu: Teqja, Vangjeli (Çarls 56’), Aliti (Pëllumbi 52’), Radas (Gripshi 46’), Osmani (Lulaj 46’), Dita, Shkodra (Muzaka 46’), Lilaj (Mara 56’), Gavazaj (Sahiti 49’), Xhejms (Demte 46’), Soue (Kelmendi 52’). Tr.: I.Daja
Pogradeci: Mali (Xhelollari 80’), Pere, Kllogjeri (Mezini 52’), Hysenllari, Pura (Çerepi 65’), Shyti, Jahaj (Xh. Liçkollari 46’), G. Liçkollari (Çela 46’), Lame (Hidri 75’), Alillari (Kame 46’), Topllari (Yzellari 86’). Tr.: F. Fetollari
Gjyqtarë: E. Kello, B. Hamzaj, R. Paramoni (Korçë)