Donjet Shkodra është zyrtarisht një futbollist i Kukësit dhe ka mbyllur aventurën korçare vetëm pak muaj pas firmës. Te Skënderbeu mesfushori ofensiv merrte 5.000 euro në muaj, shifër e jashtëzakonshme, po të llogaritet sa pak luajti.
Për këtë arsye, Skënderbeu buzëqesh, sepse ka arritur të prishë kontratën, duke u ndarë përfundimisht me ish-yllin e Flamurtarit.
Ndërkaq, Shkodra ka zgjedhur Kukësin për të luajtur rregullisht dhe për të treguar sa vlen. Aty mesfushori do të marrë 3.000 euro në muaj, por gjithashtu ka marrë 10.000 euro në momentin e firmës.
Të gjithë të lumtur, nga Skënderbeu që kurseu 30.000 euro deri në fund të sezonit, deri te futbollisti, që kërkonte hapësirë dhe me Ilir Dajën nuk po e gjente. Ndërkaq, Kukësi gjen fantazi dhe ndoshta edhe shumë gola, sepse Shkodra i Flamurtarit ishte fenomenal.