Shkodra: Skënderbeu super, golat janë “zanati” im

Kosovari deklaron se për formacionin e di trajneri Daja. Ka shumë respekt për Flamurtarin, por pret një nisje me fitore të kampionatit

Ka “shpërthyer” dy ditë më parë me atë dygolësh në miqësoren ndaj Pogradecit, pavarësisht se ishte një ndeshje testuese. Donjet Shkodra po tregon çdo ditë e më shumë se është gati për të qenë pjesë e formacionit. Dje, në ditën e pushimit për Skënderbeun, Shkodra ka dhënë një intervistë për “Sport Ekspres”, ku thekson se nuk është në 100% të formës, pasi i duhen më shumë minuta në këmbë. Mesfushori ka folur për ndeshjen e parë ndaj Flamurtarit, Europën dhe gjithçka tjetër. Ja dhe intervista e plotë e Donjet Shkodrës:

– Donjet, pak ditë na ndajnë nga nisja e Superligës dhe Europa League. Si duket Skënderbeu?

– Mendoj se për Europa League s’kam çfarë të them. Treguam realisht se kush është Skënderbeu. Sa për Superligën, them se jemi gati dhe na mbetet vetëm ta fillojmë me këmbë të mbarë.

– Keni “shpërthyer” në miqësoren ndaj Pogradecit, duke shënuar 2 gola…

– Ishte një paraqitje e mirë, pavarësisht se ishte thjesht një miqësore. E administruam më së miri lojën dhe kishim edhe shumë raste të tjera për të shënuar. Dy gola nuk është se ishin shumë, por në takime të tilla vlen fakti që luan dhe personalisht dua të kem sa më shumë minuta. Ishin nga ata gola, që kam shumë dëshirë t’i shënoj, pra nga larg.

– Jeni në 100% të formës suaj në këtë moment, a ishte ai dygolësh një sinjal për formacionin?

– Mendoj se ende jo. Më nevojiten më shumë ndeshje për të arritur në 100% të formës sime. Po punoj fort të arrij kondicionin e duhur fizik. Është trajneri Ilir Daja ai që i shikon lojtarët më mirë dhe mund të them vetëm atë që jam gati. Pastaj, nëse do të jem në formacion apo jo, e di trajneri.

– Që kur erdhët te Skënderbeu ju pyetëm për konkurrencën. Po tani, si ju duket ajo?

– E kam ditur para se të vija. Në Europë ka qenë thuajse skuadra e vjetshme e Superligës, ku skuadra shkoi mirë dhe sigurisht që do të vazhdonte të luante ai grup. Më mbetet të punoj sa më fort. Realisht, te ky Skënderbe ka shumë konkurrencë.

– Pak hapësirë keni pasur deri tani, por numri i ndeshjeve do të jetë i madh, kështu që me siguri do të luani edhe titullar?

– Mendoj që po. Kur të vendosë trajneri, do të jem gati. Deri në dhjetor jam i bindur se do të jem pjesë e formacionit, por e rëndësishme është që të kap formën më të mirë.

– Keni disa muaj me këtë fanellë. Sipas jush, sa e fortë është kjo skuadër?

– Kur erdha, e dija që ishte një skuadër e mirë, por kur pashë Skënderbeun në stërvitje dhe më pas në ndeshje, e them me bindje se është skuadër shumë e fortë. Ka futbollistë me shumë cilësi, sidomos në mbrojtje, që për mua është më i miri. Mban skuadrën bindshëm në prapavijë dhe organizon shumë mirë aksionet.

– Ndeshja e parë ndaj Flamurtarit, ish-ekipit tuaj. Si ju duket ky duel?

– Kam shumë respekt për Flamurtarin, por tani jam pjesë e Skënderbeut dhe dua të fitojmë.

– Sa do të donte Shkodra të ishte titullar ndaj vlonjateve dhe do të festoni, nëse shënoni?

– Do të ishte diçka speciale, nëse do të jem në fushë. Nëse do të shënoj, edhe më mirë.

– Çfarë premtimi ka Donjet Shkodra për tifozët korçarë?

– Jo vetëm unë, por e gjithë skuadra, do të japim më të mirën në fushë. Çdo ndeshje do të dhurojmë rezultate sa më të mira dhe spektakël.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online