Një vit më parë, Kukësi u eliminua nga Champions League vetëm nga goli në fushën kundërshtare. Sherifi i Tiraspolit u mund 2-1 në Elbasan, por avancoi më tej. Verilindorët bënë një ndeshje të madhe, me sulmuesin Izair Emini, i cili bëri një ndeshje të paharrueshme. Shënoi gol, dha asist, si dhe fitoi një 11-metërsh.
Një vit më vonë, Sherifi i Tiraspolit përballet me një tjetër skuadër shqiptare, Shkëndijën e Tetovës. Aty luan Izair Emini. Kuqezinjtë e kanë fituar ndeshjen e parë në shtëpi minimalisht 1-0 dhe sot në Moldavi do të kërkojë një tjetër rezultat pozitiv, që do i çonte në turin e tretë të Championsit.
I motivuar në maksimum dhe Izair Emini, i cili do të kërkojë të ndihmojë skuadrën e tij për të shkruar historinë, por dhe për të marrë hak për eliminimin e një viti më parë me Kukësin, diçka që e ka pranuar dhe ai.
Emini realizoi golin e parë në historinë e tetovarëve në Champions. Moldavët sigurisht që nuk e kanë harruar ndeshjen e një viti më parë, ndaj nesër e dinë se Emini do të ketë shumë arsye për të dhënë më shumë se 100%.