Milanin e njohin të gjithë, por Shkëndija e Tetovës nuk është ndonjë klub i njohur në vendet si Italia, ku pakkush e ka idenë çfarë ndodh në kampionatet e e vendeve të vogla.
Për këtë arsye, me një video mjaft interesante dhe zbavitëse, Shkëndija ka vendosur t’i prezantohet vetë Milanit, duke i treguar se edhe Tetova ka perlat e saj.
Duomo? Tetova ka një xhami edhe më të vjetër. Monika Beluçi çmend tetovarët, por Blerim Destani çmend italianet. Italianët njihen si “donzhuanë” dhe zemërthyes, ndaj Shkëndija u ofron kardiologun e famshëm Omer Xhemali. Italia ka makaronat dhe picën, por Tetova ka një shef kuzhine me famë si Rene Rexhepi. San Siro merr 86.000 tifozë? Tetova ia kalon, sepse ka 100,000 banorë. Milani ka skuadër që kushton rreth 330 milionë euro, por skuadra e Shkëndijës kushton 400 milionë… dinarë. Milani dërgoi skautë për të ndjekur Shkëndijën javën e shkuar, por Shkëndija ka skautë pa fund çdo ndeshje. Milani i vodhi fanellën kuqezi Shkëndijës para dy dekadash, por në Tetovë nuk mërziten, sepse aty kanë më shumë fanella kuqezi se në Romë e Torino së bashku. Milani është ekipi i dytë në botë për trofe, por Shkëndija është e para mes shqiptarëve…
Natyrisht, gjithçka duhet marrë me buzëqeshje, mos harroni!