Shkëndija do grupet e Europa League dhe sot ka një mision të vështirë kundër Rozenborgut. Norvegjezët kanë një avantazh të madh prej fitores së parë me rezultatin 3-1 në ndeshjen e parë. Nuk duhet mohuar edhe fakti që kanë një ekip më cilësor, por në futboll shpesh herë triumfon ai që e ka dëshirën më të madhe për të fituar.
Pikërisht “zjarri” i brendshëm nuk duhet t’i mungojë sonte tetovarëve, ndërkohë që edhe tifozët janë përgatitur dhe kërkojnë që klubi i tyre i zemrës t’i nderojë. Në 20:15 Ballistët do ndezin flakën dhe lojtarët në fushë duhet ta mbajnë ndezur atë.
Veç dëshirës, është një ndeshje që kërkon të luhet me mend në kokë si i thonë. Nuk duhet pësuar gol, në mënyrë që me triumfin 2-0 të arrihet kualifikimi në grupet e Europa League. E sigurt që Shkëndija do provojë deri në fund, ashtu sikurse edhe mbështetjen do e ketë të madhe për të regjistruar një sukses historik.