Sot, Shkëndija ka një takim me historinë, pasi do të luajë ndeshjen e saj të parë në turin e tretë kualifikues. Skuadra tetovare do të përballet me një nga kundërshtarët më të fortë të këtij raundi, Red Bull Salcburg. Kundërshtari ka një skuadër me shumë cilësi, megjithatë në futboll kurrë nuk duhet të thuash kurrë.
Skuadra kuqezi beson tek ëndrra e për të mos e ndalur këtu aventurën në Champions. Synimi i skuadrës së Qatip Osmanit është që të marrë një rezultat sa më pozitiv në ndeshjen e parë që do të zhvillohet në Austri, për të lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit një javë më vonë në Maqedoni.
Eksperienca në ndeshjet e mëdha tani nuk i mundon skuadrës shqiptare që garon në kampionatin maqedonas, pasi edicionin e shkuar u përball me Milanin. Salcburg është në letër një kundërshtar gati i pamundur për t’u kaluar, por në futboll e pamundura nuk ekziston gjithnjë.
Shkëndija është skuadra e vetme shqiptare që vijon rrugëtimin e saj në Champions, pasi Kukësi dhe Drita janë eliminuar nga ky kompeticionin më herët. Edhe nëse kuqezinjtë nuk arrijnë të avancojnë në turin tjetër të Championsit, ata do të zhvendosen në play-off të Europa League, ku do të përballen me fituesen e çiftit Kork Siti-Rosemborg.
Futbolli është i bukur pasi ka surpriza dhe sot të gjithë shqiptarët presin një surprizë të bukur nga skuadra kuqezi e Tetovës.