Trajneri i Teutës Bledi Shkëmbi ishte i kënaqur me lojtarët e tij, por dhe me rezultatin ndaj Kukësit. Në “Supersport” në emisionin “Gol pas Goli”, tekniku korçar u shpreh se skuadra e tij u tërhoq pas shënimit të golit, çka ishte diçka e gabuar.
NDESHJA – “Ndonjëherë është dhe meritë e kundërshtarit që të vë në presion. Edhe në pjesën e dytë donim ta nisnim si e para, por nuk bëmë atë që folëm në pushim. I kuptoj futbollistët, pasi në disa raste të bën që të jesh i sigurt rezultati 1-0, të cilin mund ta ruash duke u tërhequr pas. Jam i kënaqur me lojën dhe lojtarët. Dhanë maksimumin dhe tentuan ta fitojnë ndeshjen. Një barazim 1-1 ndaj Kukësit nuk është rezultat i keq.”
DËMTIMI – “Nuk na penalizmi largimi i Latif. Na vjen keq dhe duam të rikthehet sa më parë. Kemi 22 lojtarë dhe të gjithë janë të barabartë dhe gati për të luajtur. Uroj që të mos ketë asgjë serioze Latif. Kamara mund ta bëjë mjaft mirë, ashtu si dhe Progni e bën mirë atë pozicion. Do na ndihmojë kjo periudhë për t’u rikuperuar, por dhe për të rregulluar fushën tonë.”
SKUADRA – “Teuta është e përgatitur dhe luan për të fituar ndeshjen ndaj Kukësit, Partizanit apo Skënderbeut, por sesa arrihet shihet pas ndeshjes. Sot e nisëm mirë, kaluam në avantazh dhe duhet ta administronim më mirë rezultatin. Kemi dhe lojtarë të rinj me pak eksperiencë. Ata me eksperiencë kanë probleme fizike. Unë që jam aty i di problemet që kemi. Më kënaq loja dhe lojtarët. Pas shënimit të golit u tërhoqëm më shumë seç duhet, por ka disa lojtarë që duhet të marrin pak më shumë përsipër, ose të sillen ndryshe kur e kemi ne topin në këmbë.”
OBJEKTIVAT – “E kemi thënë që ne synojmë Kupat e Europës, por deri tani edhe pse kemi bërë mirë, llogaritë bëhen në fund dhe duhet të punojmë. Në këtë pushim do jemi në vendin e tretë, por duhet të punojmë më shumë për ta mbajtur këtë vend.”