Teuta u mposht 3-0 nga Ventspils në Letoni dhe kalimi në raundin tjetër është një mision shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Pas ndeshjes, trajneri Bledi Shkëmbi është paraqitur në sallën e konferencës për shtyp dhe ka folur rreth asaj që ekipi i tij shfaqi në fushë.
Korçari mendon se rezultati nuk i përgjigjet lojës, ndërkohë që thekson se përgatitja fizike dhe ritmi ndikuan shumë në humbjen e Teutës. Shkëmbi nga ana tjetër nuk i ul vlerat e ekipit kundërshtar, që merr vlerësimin maksimal për shfrytëzimin e gabimeve të durrsakëve.
REZULTATI – “Ishte një ndeshje e mirë nga të dyja ekipet, e luftuar. Nga mënyra se si luajtëm, rezultati nuk i përshtatet ndeshjes. Patjetër që si fillim duhet të komplimentoj kundërshtarin. Bëmë një ndeshje të mirë dhe rezultati nuk tregon atë që shfaqëm në fushë.
PROBLEMET FIZIKE – “Është e drejtë dhe e vërtetë, e dinim që do kishim problem fizike ndaj këtij kundërshtari. Ata janë në një ritëm të mirë, pasi janë në kampionat. Kemi bërë vetëm 4 ndeshej miqësore. Patjetër që me një përgatitja fizike më të mirë, me një ritëm më të mirë, jam i bindur që nuk do të ishte ky rezultat”.
VENTSPILSI – “Patjetër që vazhdoj të kem të njëjtin vlerësim maksimal, por mendoj se ne ishim përgatitur për pikat më të forta të Ventspils. Mendoj se deri diku ia dolëm t’i markojmë mirë pikat më të forta. Pësuam një gol shumë të shpejtë dhe të thjeshtë, që duhet ta shmangnim.
Mendoj se ai gol na prishi shumë punë, si nga ana psikologjike, ashtu edhe nga rreshtimi taktik dhe mënyra se si e kishim përgatitur ndeshjen. Dy golat e tjerë i pësuam për gabime tona, por nuk duhet të harrojmë që kundërshtari duhet të jenë i një niveli të lartë që të të ndëshkojë në momentet që gabon. Venstpils e bëri shumë mirë këtë dhe mund të them në notat maksimale”, përfundoi Shkëmbi.