Teuta sfidon Tiranën. Trajneri Bledi Shkëmbi e thotë hapur që skuadra e tij do kërkojë të marrë tre pikët kundër bardhebluve. Sigurisht ai e pranon se nuk do të jetë e lehtë, por në fakt asnjë takim në Superiore nuk është i tillë.
“Një kundërshtar, që për nga emri, është nga më të rëndësishmit. Do të kërkojmë të luajmë një futboll shumë të mirë dhe të fitojmë. E dimë shumë mirë se çfarë niveli ka kundërshtari dhe se do të jetë një ndeshje e vështirë, por duhet theksuar se të gjithë kundërshtarët janë të vështirë për t’u kaluar”, ka deklaruar Shkëmbi në “Supersport”.
Në krahasim me ndeshjen kundër Flamurtarit, Teuta do jetë e njëjtë: “Ne nuk do të ndryshojmë shumë. Mendoj se duhet të rregullojmë disa gabime që bëmë në ndeshjen e parë. Ne jemi munduar të riparojmë defektet tona”.
Kur vjen puna për objektiva, nuk është e lehtë të flasësh, por Shkëmbi do Europën: “Do të jetë një kampionat i vështirë. Ne po punojmë të riparojmë defektet dhe të përmirësojmë gjërat e mira që kemi, ndërsa më pas të shohim. Do të jetë një kampionat i gjatë dhe pse të mos ëndërrojmë, ndonëse e dimë se Europa është e vështirë”.