Shkëlqimi dhe rënia e… Lacios, sulmi ka harruar të shënojë!

Lacio zhvilloi një ndeshje të madhe kundër Juventusit, por nuk arriti të siguronte pikë. Djemtë e Inzagit dominuan në çdo aspekt bardhezinjtë për rreth 70 minuta. Ekip i shkurtër në fushë, grintë, agresivitet, lojë e bukur dhe raste pafund, por polaku Shezni ishte i pakalueshëm.

Autogoli i Emre Çan u dhuroi avantazhin lacialëve, ndërsa Çiro Imobile humbi një rast flagrant për të dyfishuar shifrat dhe vulosur ndeshjen. Nëse nuk e bën diçka të tillë, Juventusi “ringjallet” dhe të godet.

Kanselo barazoi rezultatin, ndërsa Ronaldo riktheu në gol një penallti të dyshimtë për të siguruar tre pikët e radhës. Lacio vazhdon të jetë në garë për një vend në Champions dhe Milani i vendit të katërt është vetëm tre pikë larg.

Bardhekaltrit janë ndër ekipet më ofensive në Serie A, por sivjet kanë arritur të shënojnë vetëm 30 gola. Në të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, ata kishin shënuar 56 gola, pothuajse dyfishin. Një statistikë e tillë shpjegon dhe vështirësitë e mëdha të Lacios për të arritur te goli, por kjo nuk i pengon ata të vazhdojnë garën për një vend në Champions.

Java e ardhshme i vë përballë Frozinones në transfertë dhe djemtë e Inzagit do të kenë një shans të mirë për t’u rikthyer të shënojnë dhe mbi të gjitha të sigurojnë trepikëshin, që mungon prej tre javësh.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *