Kristian Panuçi ka ftuar 24 futbollistë për ndeshjet me Turqinë dhe Andorrën, ndërkohë që si zakonisht është e pamundur të mos ketë diskutime mbi zgjedhjet e bëra. Shpesh merren si argument minutat, me raste është çështje preferencash. Italiani është ai që bën zgjedhjet e tij dhe rezultatet janë gjykuesi më i mirë. Dihet që nisja nuk ka qenë e mirë, pasi në Nations League kuqezinjtë morën vetëm një fitore me Izraelin.
Gjithsesi tema është tjetër dhe me rëndësi është që grupi aktual të përballojë dy ndeshjet e radhës. SportEkspres.com ka nxjerrë disa të dhëna për lojtarët, që i përkasin vitit 2019, pra të periudhës së fundit para grumbullimit.
PORTA – Ky është reparti ky Panuçi hallin më të madh ka se kë do të aktivizojë. Cilësitë e Thomas Strakoshës dhe Etrit Berishës nuk vihen në diskutim, por edhe Alban Hoxha i Partizanit padyshim është ndër më të mirët portierë shqiptarë. Edhe aktivizimi i tyre me klubet është i rregullt. Portieri i Atalantës nuk është aktivizuar së fundmi, por gjatë këtij viti numëron 8 ndeshje si titullar mes Kupës e kampionatit në Itali.
MBROJTJA – Viti 2019 është më i mirë për Elseid Hysajn, pasi me Napolin është aktivizuar në 10 takime. Gjysma në kampionat, pjesa tjetër në Kupë dhe Europa League. Berat Gjimshiti gjithashtu tek Atalanta është kthyer në një lojtar të rëndësishëm. Veseli tek Empoli gjithashtu po luan, ashtu sikurse Ivan Balliu në Francë.
Mihaj, i cili ka lënë pas dëmtimin, është një element kyç për Panaitolikos. Aliji, i paprekshëm për Dinamo Bukuresht, kurse Arlind Ajeti rikthehet si goleador. Mbrojtësi i Grasshopers po luan rregullisht në Zvicër. Egzon Binaku është lojtari që ka vetëm 90 minuta me Malmon në Suedi. Momentalisht po luhet kupa dhe në katër takime ai ka luajtur vetëm një.
MESFUSHA – Dihen vlerat e Ledian Memushajt dhe rëndësinë që ai ka për Peskarën, ndaj edhe për të nuk ka shumë pushim. Pozitiv fakti që po luan Ergys Kaçe, i cili numëron 8 ndeshje në Greqi dhe të gjitha si titullar. Xhaka gjithashtu luan rregullisht me Bazelin. Andi Lila është ai që “çalon” pak prej faktit se prej mesit të shkurtit nuk po luan, por edhe me ndeshjet e zhvilluara deri në atë moment numëron minuta më shumë se një pjesë e mirë e mesfushorëve të tjerë.
Është rikthyer nga dëmtimi Amir Abrashi dhe në katër ndeshjet e fundit ka luajtur nga minuta e parë me Frajburgun në Gjermani. “Pitbulli” i ka munguar shumë mesfushës kuqezi këto muaj. Migjen Basha së fundmi ka kaluar rezervë, por ka 8 ndeshje në këmbë nga janari. Kristi Qose është lojtari me më pak minuta, por në Sllovaki pjesa e dytë e kampionatit ka nisur vonë dhe nga katër takime korçari i ka luajtur 3 të plota.
SULMI – Myrto Uzuni është ai që spikat në këtë repart, teksa ka luajtur 6 takime të plota dhe ka shënuar 3 gola. Befasia është Kristal Abazaj, që tek Osijeku po luan rregullisht dhe madje ka debutuar me gol. Armando Sadiku po rimerr veten dhe te Lugano ka hapësira. Sigurisht edhe e ka provuar shijen e golit.
Në Rusi kampionati është rikthyer dhe në dy ndeshje të zhvilluara Bekim Balaj ka luajtur nga 90 minuta. Shkodrani është edhe lojtari që ka shënuar golin më të freskët, të hënën. Odise Roshi ende nuk është gati dhe do duhet edhe pak kohë që të luajë. Situata me Latifin dhe Gavazajn nuk ka qenë e mirë, kështu që Panuçi ka ftuar Eros Grezdën.
Gjakovari është lojtari i vetëm që nuk ka luajtur për këtë vit dhe është grumbulluar. Duke qenë në emergjencë, por edhe prej faktit që anësori bëri disa kohë që është rikuperuar dhe po tenton të kapë formën, italiani e ka përzgjedhur Grezdën për takimet me Turqinë dhe Andorrën. Cilësitë e tij sigurisht që nuk mund të vihen në diskutim.
VLADIMIR PRENGA