Transferimi i Kristiano Ronaldos te Juventusi solli një entuziazëm të madh në kampin bardhezi dhe te tifozët. Një makineri golash për ekipin e Alegrit dhe një vlerë e shtuar e kampionatit italian.
Seria A po përpiqet t’i rikthehet lavdisë së dikurshme dhe për të ndodhur një gjë e tillë nevojiten kampionë. Juventinet u gëzuan, shumë u befasuan nga ky transferim, ndërsa kishte dhe nga ata që dyshonin.
“Seria A është ndryshe, kampionat i fortë dhe mbrojtje hermetike. CR7 do e ketë të vështirë të shënojë dhe të çajë mbrojtjet italiane”, ishin disa nga zërat skeptikë. Një pjesë dyshonin në ambientimin e tij me futbollin specifik italian, ose e shpresonin një gjë të tillë.
33-vjeçari nisi punën e tij dhe filloi të shënonte. Juventusi ka nisur marshimin drejt titullit të tetë rresht, numër që përkon me golat e Ronaldos në kampionat. 8 gola dhe 5 asiste. Deçiziv në disa fitore të rëndësishme kundër ekipeve të vogla dhe aspak mëshirë për kundërshtarët.
Një gjë të tillë e bën prej vitesh. E nisi në Portugali me Sportingun e tij të dashur, shpërtheu në Angli me Mançesterin e Fergusonit, e perfeksionoi në Spanjë me Realin dhe po konfirmohet në Itali me Juven. Shumë vite dhe gola pafund. Një karrierë e frikshme, profesionist unik, dëshirë dhe ambicie.
5 herë fituesi i “Topit të Artë” dhe po kaq i Champions-it nuk ngopet kurrë. Ronaldo u ka shënuar në karrierën e tij 65 skuadrave në katër kampionatet ku është aktivizuar, ndërsa në total, midis kampionateve, kupave, ndeshjeve europiane dhe kombëtares, ai u ka shënuar… 139 skuadrave! Ky nuk është numri përfundimtar, pasi Ronaldo as që ka ndërmend të ndalojë.
Ai sapo ka nisur aventurën e re, objektivat janë gjithmonë të njëjtat, ndërsa tifozët bardhezi fërkojnë duart dhe vazhdojnë e ëndërrojnë kupën me veshë të mëdhenj. Me një lojtar si Ronaldo në ekip, ëndrra është gjithmonë e më afër reales.