Shevçenko: Gatuzo i ka kthyer Milanit identitetin

Andrij Shevçenko ka lavdëruar ish-shokun e skuadrës te Milani, Xhenaro Gatuzon, për punën e shkëlqyer që ka bërë, duke ringjallur Milanin në pak muaj, pasi mori vendin e Vinçenco Montelës në fund të vitit të shkuar. Milani po dështonte në çdo drejtim dhe investimet e mëdha të pragsezonit po rezultonin të kota, pavarësisht se u blenë emra të rëndësishëm.

Montela iku në nëntor dhe Gatuzo mori drejtimin, duke u graduar nga të rinjtë e klubit kuqezi.

Që prej ndërrimit të viteve Milani ka gjetur lojë dhe rezultate, duke mos njohur humbje në 13 ndeshjet e fundit, ndërsa të enjten përballet me Arsenalin në Europa League. Për këtë transformim, Sheva ka fjalë mjaft të mira: “Rino Gatuzo ka ndryshuar fytyrën e Milanit. I ka kthyer identitetin, ndjenjën e përkatësisë. Ai dëshiron që lojtarët e tij të jenë kompetitivë dhe agresivë: ai ishte i tillë si futbollist, ndaj nuk habitem.

“Rino është dikush që nuk lëshon asnjë milimetër, nuk ka frikë nga asgjë, iu dha shansi dhe po e shfrytëzon.

“Shpresoj që ta çojë Milanin në Champions League sezonin e ardhshëm, edhe pse një derbi Dinamo Kiev-Milan nuk do të ishte i lehtë për mua”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *