Nëse ka një repart që po shqetëson shumë për momentin te Kukësi është sulmi. Emra të rëndësishëm dhe me peshë, por prodhimtaria e dobët. Para fillimit të kampionatit, të gjitha skuadrat do të firmosnin për repartin ofensiv të verilindorëve, pasi Elis Bakaj dhe Sindrit Guri janë të sprovuar në kampionatin shqiptar dhe Rauf Alijev u afrua si “qershia mbi tortë”. Azerbajxhanasi do të ishte “ylli” që do të bënte të harronte Pejiçin me golat e tij, por me një ndryshim, do të ishte edhe në ndihmë të ekipit. Pritshmëria për 28-vjeçarin ishte e madhe, pasi pritej të lëvizte më shumë dhe të vraponte në zonë duke mbuluar këtë aspekt që kroati e kishte minus. Realiteti, sulmuesi ka bërë lëmsh sulmin duke vendosur në vështirësi trajnerin Mlladen Milinkoviç, por edhe drejtuesit e klubit.
PROBLEMI – Alijev po luan në majë të sulmit, poshtë tij është Elis Bakaj që është në pozicionin e tij natyral, në krahun e majtë të sulmit Kale, ndërsa “i sakrifikuari” i madh është Sindrit Guri. Shkodrani, pozicionin e tij natyral e ka si sulmues pykë, pikërisht në vendin që po luan Alijev. Milinkoviçi po e përdor si sulmues krahu të djathtë, një pozicion që nuk e lejon të japë më të mirën në fushën e lojës. Shtatlartësia e tij nuk e favorizon në atë rol, pavarësisht teknikës dhe shpejtësisë. 23-vjeçari nuk po dhuron paraqitje të mira dhe fakti që po luan si sulmues krahu po e penalizon. Nga ana tjetër, Alijev nuk ka bërë asgjë për të rënë në sy për mirë. Loja e tij deri tani ka qenë zhgënjyese, pasi nuk po arrin të bëjë diferencën, e aq më pak të marrë ekipin përdore duke e nxjerrë nga situatat e vështira.
MILINKOVIÇ – Trajneri ka vështirësi në lidhje me këtë situatë, pasi është “i detyruar” të fusë Alijevin, pasi është afruar me bujë dhe besimi te ai është i madh. Megjithatë, me një zgjedhje të tillë po humbet Gurin. Kjo do të jetë një situatë që do e mundojë teknikun serb edhe në vazhdimësi. Kampionët e Shqipërisë kanë humbur me Skënderbeun dhe këto probleme kanë dalë edhe më shumë në pah.
GOLI – Kukësi po vuan edhe për të gjetur golin, pasi nga treshja e sulmit po arrin të shënojë vetëm Bakaj. Guri dhe Alijev ende nuk e kanë provuar shijen e golit, këtu nuk futet gjuajtja e azerbajxhanasit ndaj Laçit, pasi është cilësuar si autogol. Një tjetër emër, Elton Kale, po bind me paraqitjet e tij. Braziliani është në formë dhe po bën mirë në krah.