Julian Shehu është një nga zbulimet e këtij sezoni në Superiore. Mesfushori i Kastrioti e pranon se nuk e kishin menduar se do të mund të ecnin kaq mirë. “Ishte e vështirë të mendohej se do vinim këtu. Morëm rezultate dhe erdhën në këtë pikë. Do vazhdojmë edhe në këto dy ndeshje me këto ritme”, thotë fillimisht mesfushori.
Shehu e di shumë mirë që në dy javët e fundit Kastrioti nuk mund të gabojë: “Synimi është të marrim maksimumin me Teutën dhe të bëjmë më të mirën me Kukësin. Do shohim veten tonë. Nëse Tirana bën hap fals, na ndihmon edhe ne”.
Mesfushori, kur pyetet pse besojnë te Kastrioti te mbijetesa, thotë: “Paraqitjet këtë vit na japin motivimin për të besuar që do e realizojmë objektivin. Ka qenë një sezon i mirë për mua. Jam i kënaqur që e kam ndihmuar ekipin me golat dhe paraqitjet e mia”.
Sa i takon të ardhmes, Shehu nuk dëshiron të flasë shumë. Momentalisht mendon vetëm për Kastriotin. “Nuk e di akoma, nuk kam vendosur. Jam i përqendruar te sezoni me Kastriotin, pastaj do mendoj për të ardhmen time”, përfundon Shehu në RTSH Sport.