Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi, foli pas humbjes kundër Laçit, ku tha se skuadra e tij bëri maksimumin, por ishte e pafat. Po ashtu, Shehi i bëri komplimente portierit të Laçit, Gentian Selmani, që bëri shumë pritje vendimtare. Në fjalën e tij për “Superport”, Shehi tha:
Sigurisht që na vjen keq që u ndëshkuam në atë mënyrë. Çunave iu thashë në dhomat e zhveshjes se kanë bërë mirë në përgjithësi. Ata e filluan lojën me dëshirë dhe me ritëm, por futbolli i tillë është. Gjithsesi, nuk kemi kohë për të ndjerë keqardhje, pasi ndeshja tjetër vjen shumë shpejt”.
PENALLTIA – “Penalltia është një rast që i ndodh të gjithëve. Na vjen keq që na ndodhi neve sot. Bregu nuk është as i pari as i fundit që humbet penallti. Ta hedhim pas krahëve këtë rast dhe të shohim përpara”.
CINIZMI – “Sigurisht që ndeshjet fitohen duke qenë cinik, duke pasur fat, duke pasur një kundërshtar të dobët. Por portieri kundërshtar ishte më i miri dhe kjo gjë tregon se kemi bërë mirë. Nuk jam aspak i mërzitur për ndeshjen që zhvilluam”.
GOLI I PËSUAR – “Mërzitemi, normale. Është për të ardhur keq të pësosh një gol të tillë. Ndëshkohemi nga gjërat që kujdesemi më shumë në stërvitje, por në fushë nuk jemi shumë vigjilent. Loja humbet ose fitohet nga episodet”.
SKËNDERBEU I BRISHTË – “Që të krahasosh këtë Skënderbe me atë të kaluarin, është e kotë. Ndoshta, vitin e kaluar kishim dhe individë që e zgjidhnin ndeshjen vetë. Rezultati vjen edhe nga një individ, edhe kur nuk luan mirë. Ne erdhëm këtu në Laç për vazhdimësi, pasi bëmë një ndeshje të mirë kundër Kastriotit. Skuadra ime dha maksimumin, nuk kemi çfarë bëjmë. Kemi pasur fatin kundër, nuk mbaj mend një ndeshje ta kemi fituar me fat”, përfundoi Shehi.