Orges Shehi, trajneri i Skënderbeut, pas ndeshjes me Kastriotin zbuloi se janë në bisedime me një ish-lojtar të tyre. Durrsaku nuk zbuloi më tepër, por sikurse edhe dihet, ai kërkon një mesfushor qendre. Lilaj, Nimaga, Osmani dhe Vila janë larguar dhe kështu që ka boshllëk.
Por kush është “Mister X”-i që Shehi pret? Menjëherë në rrjetet sociale kanë vërshuar komentet nga tifozët e shumtë dhe emri më i lakuar është ai i Eskerdinjës, brazilianit që në sezonin 2015-2016 ka luajtur në Superiore.
31 ndeshje, 15 si titullar dhe dy gola, këto janë shifrat në kampionat për mesfushorin. Ajo çka nxit Skënderbeun për ta afruar këtë futbollist është fakti që luan jo vetëm në mesfushë, por edhe në të majtë të mbrojtjes. Në rast emergjence ai mund të luajë edhe në atë pozicion, në mënyrë që Aliti mos të zhvendoset në krah. Eskerdinja në prill i është bashkuar skuadrës së Ferroviario në Serinë D, ku ka luajtur rregullisht.
Gjithashtu për stafin teknik shtohen edhe alternativat. Por drejtuesit e Skënderbeut nuk po punojnë vetëm për një afrim, pasi deri në fund do tentohet edhe një lëvizje tjetër, në mënyrë që grupi të jetë sa më i plotë për të përballuar sezonin e ri futbollistik.