Shehi: Përkrah lojtarët e rinj, Laçi ekip kompakt

Trajneri Orges Shehi ka folur në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të ndeshjes me Laçin. Numri një i stolit korçar ka theksuar se ndeshja e nesërme është ndryshe nga ajo e Superkupës, por duke vënë në pah shkallën e vështirësisë.

Shehi po ashtu nuk ka nguruar që të flasë dhe për lojtarët e rinj apo dhe në mënyrë specifike për sulmuesin Fili. Ish-portieri i Skënderbeut jep dhe një koment sa i përket nisjes së këtij kampionati, por në të njëjtën kohë shpreh keqardhje se takimi hapës i javës së tretë do të luhet pa praninë e tifozëve.

NDESHJA ME LAÇIN – “Luajmë me një kundërshtar që para tre javësh u përballëm në Superkupë. Ndeshja e Superkupës ka një specifikë të veçantë, nuk është njësoj me të kampionatit. Kundërshtari ka skuadër të mirë, të re, por mënyra se si luan të jep përshtypjen e një skuadre kompakte. Ka katër pikë në tabelën e klasifikimit, kështu që është një ndeshje e vështirë. Kjo sidomos edhe për faktin që luajmë pa tifozë”.

FORMACIONI – “Sigurisht që ndeshje pas ndeshje, në varësi edhe të gjendjes së lojtarëve, do të bëhen ndryshime. Nuk e kemi vendosur formacionin. Duke ditur që afrimet kanë ardhur në ditët e fundit, shpresojmë që të përshtaten sa më shpejt me grupin”.

FILI – “Fili është një lojtar që i ka treguar vlerat në kampionatin tonë, e njeh, jo si disa lojtarë të tjerë që kanë ardhur nga kampionate të ndryshme dhe duan kohën për t’u përshtatur. Duke parë gjendjen e lojtarëve do të përzgjedhim 18 futbollistët për ndeshjen me Laçin”.

LOJTARËT E RINJ – “E kam shprehur edhe më parë se jam pro lojtarë të rinj, pasi realisht kanë cilësi dhe vlera. Janë në një moshë të re dhe duan përkrahje e besim. Më vjen mirë që po shfaqen mirë dhe po japin maksimumin. Të gjithë janë të Skënderbeut, të huaj apo shqiptar, të gjithë janë njësoj. Më vjen mirë, që edhe pse janë të rinj po sillen si të pjekur”.

KAMPIONATI – “Kampionati është i fortë, mund të fitosh me të gjithë, por edhe të humbësh me të gjitha. Të gjitha skuadrat duan vlerësim maksimal. Është shumë shpejt për të bërë ndarjen e ekipeve që pretendojnë për vendet e para, apo për fundin. E thashë, do të jetë kampionat i vështirë”.

TIFOZËT – Futbolli luhet për tifozët. Na vjen keq që luajmë pa ta në shtëpi. E thashë edhe më parë, do të jetë një ndeshje e vështirë edhe për faktin se do të jemi pa mbështetësit tanë kryesorë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *