Skënderbeu do të nisë ndeshjet zyrtare për këtë vit të ri në sfidën ndaj Besëlidhjes në kupë. Më pas, në fundjavë korçarët do të presin Partizanin në një supersfidë e gjitha për t’u shijuar. Numri një i stolit, Orges Shehi ka folur sot për “RTSH Sport”, ku është shprehur:
Rifillimi i sezonit – “Është e vërtetë që fillon edicioni për këtë vit, fillon gjysma e kampionatit që sapo kemi lënë pas vitin e shkuar. Fillojmë me një ndeshje Kupe dhe duhet respektuar maksimalisht që të marrin një rezultat të favorshëm, që do të na çojë të qetë në ndeshjen e dytë”.
Objektivat – “Pavarësisht kampionatit, nuk duhet të lëmë pas Kupën, pasi jemi ne mbajtësit e saj. Duhet të shkojmë deri në fund dhe ta fitojmë këtë trofe.
Merkato – “Po vuajmë shumë mungesa, por jemi aktivë në merkato, pasi nuk e kemi mbyllur ende. Jemi shumë pranë një lojtari dhe jam i bindur se do të realizohet ky transferim. Na duhet një mesfushor dhe besoj se do të vijë, por le të presim dhe ca ditë që ta zyrtarizojmë.
Sfida me Partizanin – “Padiskutim që është ndeshje me rëndësi për ne, ka qenë njëfarë derbi mes nesh dhe Partizani. Por duhet të kalojmë ndeshjen e Kupës njëherë, pastaj të mendojmë për Partizanin”.