Shehi: Koha të tërhiqem, pasardhësi është shqiptar

Kapiteni i Skënderbeut, Orges Shehi, në një lidhje direkte me “Ora Skaner”, ka prekur të gjitha temat e momenti, duke nisur nga ajo e ndeshjes së kthimit me Mladën: “Është një rezultat që na jep shpresë. Do të japim maksimumin dhe situata në skuadër është mjaft e mirë. Po punojmë shumë, që të arrijmë te fitorja. Ndeshja e parë kishte dy tablo, ku në pjesën e parë nuk e kontrolluam lojën. Kemi gabuar shumë dhe kundërshtari i shfrytëzoi mirë gabimet tona. Në pjesën e dytë ndryshuam gjithçka dhe barazuam. Rezultati na favorizon, më mirë 2-1 se 1-0. Mund të bënim më mirë, ishte momenti, kur çunat duhej të bënin diçka më shumë. Ajo që ndodhi ka kaluar dhe mendojmë për të ardhmen”.

 

SALIHI – “Nuk është momenti të përmendim emra. Dihen vlerat e Salihit. Ka dhënë shumë për këtë skuadër. E kam shumë shok e mik. Skuadra është shprehur mirë në katër ndeshjet e para dhe në çdo ndeshje kemi shënuar. Kjo tregon se funksionon dhe në pjesën e dytë me Mladën e treguam veten. Kemi besim dhe jemi të përqendruar për të arritur kualifikimin.”

PASARDHËSI – “Nuk ka rëndësi kush vjen pas meje. për t’u tërhequr nga futbolli e kam vendosur pas kampionatit. Pjesa më e madhe e dinë, që për lojtarët që afrohen në Korçë, merret mendimi i disa lojtarëve dhe njëri prej tyre jam unë. Kur ka përfunduar kampionati, u kam thënë të gjejnë një portier, pasi mund ta mbyll, shikoni të gjitha opsionet. Asnjë nuk ka kaluar pa mendimin tim. Nuk ka lidhje me hapjen e krahut, pasi kush ta meritojë, të vijë. Është dëshira ime për t’u tërhequr, pasi kam dhënë gjithçka, kam marrë gjithçka. Ideja ime ka qenë që të vazhdoj në një tjetër pozicion dhe jo si futbollist. Klubi është kundër këtij vendimi, po ashtu dhe trajneri Bozhiqi është kategorikisht kundër. I falënderoj drejtuesit, pasi më kanë thënë që të zgjedh çdo post që dua. Portierët që ka Skënderbeu, janë gati. Ka ardhur momenti që të nis një rrugë të re dhe normalisht mund të jetë pak e vështirë. Tërheqja nuk ka lidhje me formën fizike. I bëra ëndrrat realitet, dëshira nuk më mungon, por mendoj se ka ardhur momenti të tërhiqem. Skënderbeu duhet të marrë një portier, që t’i përshtatet, të ketë karakter të fortë, pasi duhet të ketë personalitet brenda dhe jashtë fushe. Kur të mendojnë për portierin, mbrojtësit duhet të jenë të qetë.

Emra? Nuk mund të përmend emra, pasi disa mund të jenë nën kontratë dhe kjo e bën të vështirë. Në kampionatin shqiptar ka portierë me shumë kualitet. Nuk jam i mendimit të marrin portier të huaj. Nëse nuk gjendet portier, t’u jepet besim të rinjve që kemi në ekip, duhet pak guxim.
Koliçi? Është portier kampion, nga më të mirët në Shqipëri. Ndoshta drejtuesit mund të hyjnë në negociata për ta marrë. Mendoj se ka vlera dhe mund t’i bënte punë skuadrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *