Kapiteni i Skënderbeut nderohet sot në Korçë. Dje në mbrëmje ishte “hero”, teksa priti penalltinë e Nikës 6 minuta para fundit
Ka disa ditë që “Sport Ekspres” ekskluzivisht ka bërë të ditur se Orges Shehi do të nderohet me titullin “Honoris Causa” dhe “medaljen e artë” nga Universiteti “Fan S.Noli”. Kjo ditë ka mbërritur dhe sot, në orën 12:00, Shehi dhe të gjithë njerëzit e sportit do të jenë të pranishëm në këtë universitet për të respektuar kapitenin e Skënderbeut. Shehi dje ishte vendimtar në fitoren me Laçin, duke pritur atë penallti të Nikës. Ja çfarë ka thënë Shehi dje për gazetën në lidhje me penalltinë dhe nderimin që do t’i bëhet sot:
– Momenti përcaktues sot (dje) ishte penalltia që ju pritët. Si përjetuat ato momente?
– Nuk kisha ndonjë ndjesi të veçantë, pasi rrjedha e lojës ka edhe çaste të tilla. Më vjen mirë që i dhashë ekipit tri pikët. Kam qenë shumë i qetë dhe optimist, asgjë më shumë. Nuk duhet të kishim arritur deri tek ai moment, por ja që ndodhi. Nuk dua ta komentoj, nëse ka qenë apo jo 11-metërsh.
– Skënderbeu, pasi kaloi në avantazh, mendoi se e mbylli ndeshjen apo futbollistët u treguan mendjemëdhenj?
– Do të thosha se humbëm shumë vigjilencën në prapavijë, por edhe ulëm shumë ritmin. Kjo i dha mundësi kundërshtarit të jetë në kontroll të lojës në fragmente të caktuara. Nuk e lëshojmë kollaj iniciativën e lojës dhe këtë e thamë dhe përpara ndeshjes. Duhej shumë kujdes, pasi nuk ka ekipe të lehta. Më vjen mirë që morëm 3 pikë, edhe pse situatat e lojës ishin pak të komplikuara.
– Nesër (sot) për ju vjen titulli “Honoris Causa” dhe “medalja e artë” nga Universiteti i Korçës…
– Një titull personal dhe kjo më gëzon shumë, por dua të them se është më e mira ta ndaj me shokët, stafin dhe presidencën, pasi edhe ata kanë meritën që unë do të marr këtë vlerësim. Është një respekt i ndërsjellë dhe falënderoj të gjithë ata që vlerësojnë punën dhe kontributin tim.