Kapiteni punon nën kujdesin e mjekut në palestër, ndërkohë që mbrojtësi kosovar kryen seancën e parë në pishinë
Siç e tregojnë edhe këto foto, dy nga titullarët e dëmtuar të Skënderbeut, portieri Orges Shehi dhe mbrojtësi Bajram Jashanica, kanë nisur fazën e rehabilitimin në qytetin bregdetar të Durrësit. Për të dy ishte dita e parë procesit të riaftësimit, që do të zgjasë disi gjatë. Orges Shehi pësoi një dëmtim në gju në ndeshjen e fundit në Korçë ndaj Luftëtarit. Ai rrezikon të qëndrojë larg fushave të futbollit të paktën një muaj. Portieri dhe kapiteni është fotografuar dje në momentin që ishte duke kryer ushtrime me mjekun e Skënderbeut, Jorgo Pantazin. “Gardiani” shpreson shumë që faza e riaftësimit të mos zgjasë një muaj, por të kthehet më parë në skuadër. Çdo ditë Shehi do të jetë nën urdhrat e mjekut të skuadrës dhe do të punojë në palestër, por jo vetëm.
Për Bajram Jashanicën kujtojmë që mungon prej javësh te Skënderbeu. Pas operacionit që ka kryer, ai ka përfunduar fazën e parë të rehabilitimit dhe dje ka nisur punën në palestër. Për Jashanicën duket se faza e rikuperimit po ecën mirë, por për të situata është krejtësisht ndryshe nga ajo e portierit veteran. Kosovari është pritje të dënimit që do të marrë nga UEFA në lidhje me substancën e ndaluar të përdorur në ndeshjen e Europa League me Jang Bojsin. Por kjo është pjesë tjetër dhe mbrojtësi po bën gjithçka për t’u rikuperuar sa më parë. Gazeta sjell këto dy foto ekskluzive të Shehit dhe Jashanicës në ditën e parë të seancave rehabilituese.