Para pak ditësh, pas fitores kundër Kairat Almatit, Tefik Osmani tha me humor pas ndeshjes: “Të isha 10 vite më i ri, do më merrte Panuçi në kombëtare”. Me siguri të njëjtën gjë mund ta thotë pa frikë në këtë moment edhe Ylli Shameti, sepse tashmë në moshën 33-vjeçare ka arritur një nivel të jashtëzakonshëm, duke qenë vendimtar në suksesin e Kukësit sezonin e shkuar. Qendërmbrojtësi nga Gjirokastra, një lider i vërtetë prej 4 sezonesh në Kukës., tashmë ka përfunduar kontratën me Kukësin dhe është në pritje të ofertave.
Ditën e djeshme Shameti ka pasur një takim me presidentin Safet Gjici, por nuk ka arritur asnjë marrëveshje, edhe pse Gjici në eufori e sipër deklaroi se mbrojtësi do të rinovonte. Në fakt, do të ketë sërish një takim në fundjavë, por Shameti po pret me qetësi mbi të gjitha se po tundohet nga një ofertë joshëse nga jashtë. Bëhet fjalë për Sherifin e Tiraspolit, ku trajneri Roberto Bordin ka mbetur i befasuar nga paraqitjet e shqiptarit.
Sherifi këtë verë ka humbur disa titullarë, duke përfshirë edhe një qendërmbrojtës shumë të rëndësishëm, ndaj duket se Bordin kërkon një lojtar me eksperiencë në prapavijë, aq më shumë që Sherifi luan një kampionat të gjatë e të vështirë dhe shpreson të kapë edhe grupet në Europa League, të paktën. Për momentin Shameti pret, sepse nuk është e lehtë të lërë Shqipërinë dhe të shpërngulë familjen në Moldavi në moshën e tij, por nëse oferta moldave është shumë e lartë krahasuar me të tjerat, pse jo.