Sezoni jubile, ju sjellim pesë risitë e Superiores

Ora 19:45, gjithçka nis nga fusha e blertë. Skënderbeu-Partizani, një sfidë e gjitha për t’u parë. Zhvillohet një kampionat jubile, i 80-ti. “Sport Ekspres” ju sjell pesë risitë e këtij sezoni, që pritet të jetë i luftuar deri në fund. Gati…

TRAJNERËT DEBUTUES
Do jenë plot shtatë trajnerë që do të provojnë të drejtojnë në Superiore këtë sezon. Mund të ishin më shumë nëse Besnik Prenga do të mbetej në krye të Laçit. Mërgjyshi, Cungu e Daja kanë punuar edhe më parë në elitë, kurse të tjerët do e bëjnë “sefte”. Ndodhtë kështu me Ze Marinë e Tiranës, Gegën e Partizanit, për të vijuar me Plorin (Kastrioti), Shkëmbin (Teuta), Devollin (Kamza), Shehin (Skënderbeu) dhe sllovenin Millosh Kostiç të Luftëtarit

POLICIA JASHTË STADIUMEVE
Ligji i ri për Sportin parashikon që forcat e rendit të garantojnë sigurinë vetëm në perimetrin e jashtëm të stadiumeve. Ndryshe nga se ka ndodhur më parë, në brendësi të impianteve të Superiore do të ketë më policë. Pritet që në stadiume të ketë kamera sigurie dhe rendi do të garantohet përmes stjuartëve.

SKËNDERBEU, JO FAVORITI KRYESOR
Ndryshe nga se ndodhte më parë, këtë sezon nuk është me Skënderbeu skuadra për t’u mundur. Mbetet për t’u parë kush do të jetë favoriti kryesor për titullin kampion. Sigurisht që korçarët do kërkojnë të mbrojnë titullin dhe janë ndër skuadrat favorite.

RIKTHIMI I DERBIT DHE MUNGESA E KLASIKES
Vjet mungoi Tirana në elitë dhe rrjedhimisht nuk pati derbi. Sivjet kryeqyteti do ndizet, pasi bardheblutë rikthehen të luajnë me Partizanin. Por mungon klasikja, Tirana-Vllaznia. Shkodranët do të luajnë në Kategorinë e Parë këtë sezon.

“REDI MALOKU” DHE “ELBASAN ARENA”
Një stadium i ri në hartën e atyre impianteve ku është luajtur në elitë. Kastrioti ka zgjedhur të luajë në “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, ndërkohë që risia tjetër është fakti që Kukësi takimet si pritës do t’i zhvillojë në “Elbasan Arena”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *