Sërish goleadë, Junajtid “masakron” Suonsin

Një javë më parë “hoqi qafe” lehtësisht Uest Hemin, sot Mançester Junajtid fitoi 4-0 në Uells, duke shpartalluar Suonsin dhe duke marrë kreun e Premier Ligës.

Gjashtë pikë, dy ndeshje, 8 gola të shënuar e asnjë i pësuar: çfarë mund të kërkohet më shumë nga skuadra e Zhoze Murinjos?

Sot në Uells ishte një ndeshje me një drejtim, sepse sulmi i frikshëm i Junajtid vuajti vetëm 45 minuta për të gjetur rrugën e golit. Suonsi u mbrojt fort, por vetëm kaq, pasi nuk ka më asnjë sulmues, pas shitjes së Sigurdsonit.

Në minutën e fundit të pjesës së parë Beili zhbllokoi shifrat, pasi goditjen me kokë nga Pogba portieri Fabianski e devijoi në traversë, para se mbrojtësi ta shtynte në rrjetë.

Praktikisht mbaroi aty rezistenca e Suonsit, sepse Junajtid kontrolloi mirë ndeshjen dhe priti qetësisht rastin për të goditur sërish.

Lukaku në minutën e 80-të shënoi golin e dytë dhe u hap port, sepse Pogba në të 82-tën dhe Marsial dy minuta më vonë shtuan edhe dy gola.

Gjithçka bukur e thjesht, në pritje të ndeshjeve më të vështira.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *