Alan është një nga pikat më të forta të mesfushës së Napolit dhe një lojtar tepër i rëndësishëm për skemat e Ançelotit. Në një prononcim për sajtin brazilian “Lance”, 27 vjeçari flet për garën për titull, Kristiano Ronaldon dhe rritjen e dy ekipeve milanezë.
Titulli – “Po përpiqemi për të vënë në praktikë sa më shpejt të jetë e mundur, atë që na kërkon Ançeloti. Nuk duhet të mendojmë titullin, por duam ta nisim sa më mirë dhe ti marrin ndeshjet me radhë. Nëse më vonë do të jemi në një pozicion të mirë në renditje, titulli do të bëhet një prej objektivave tonë.”
CR7 – “Ardhja e tij në Itali rrit ndjekjen e kampionatit dhe na shton motivin për të konkurruar. Sigurisht që është e rëndësishme të kesh në Itali lojtarin më të mirë të pesë viteve të fundit dhe ky fakt demonstron që klubet po rikthehen të shpenzojnë, sepse duan të luftojnë për trofe. Ronaldo rrit kualitetin e Juventusit, por një futbollist nuk mund të fitojë titullin i vetëm. Ne mendojmë për veten tonë dhe do të mundohemi të rivalizojmë me Juven.”
Milanezët – “Milan dhe Inter kanë kaluar momente të vështira, por kanë investuar shumë dhe po rikthehen në luftën për vendet e para. Kjo është diçka e mirë për kampionatin, që rikthehet të jetë kompetitiv si dikur dhe spektakli do të rritet.”
Brazilianët e Napolit – “Kareka dhe Alemao kanë fituar tituj me këtë bluzë, kanë shkruar historinë dhe unë dua të ndjek hapat e tyre. Zhorzhinjo ishte një futbollist shumë i rëndësishëm për ne, por ai zgjodhi të largohet dhe ne do mundohemi ta zëvendësojmë atë me djemtë e tjerë që kemi në ekip. Kemi një kontingjent lojtarësh shumë të mirë që do të na ndihmojë të bëjmë një kampionat të madh. Kam shtatë vite në Itali dhe mund të ndihmoj ekipin me eksperiencën time. Kam nisur sezonin e katërt me Napolin dhe siç jemi përmirësuar këto vite, të njëjtën gjë do të bëjmë dhe sivjet. Do të punoj fort që të ndihmoj Napolin që të luftojë për vendet e para të kreut”, përfundon braziliani i Napolit.