Tirana do të zhvillojë një ndeshje miqësore në orën 17:00 kundër Apolonisë së Fierit dhe kjo është e para për bardheblutë këtë verë. Trajneri Ze Maria, i cili sot feston edhe ditëlindjen e tij të 45-të, do të shohë gjendjen e ekipit të tij, që këtë javë ka nisur edhe fazën përgatitore.
Nuk do të jetë për sulmin i gatshëm Majkëll Ngo, pasi gjiganti anglez ende nuk është rikuperuar pas ndërhyrjes në gju. Veç tij edhe Junus Sentamu mbetet jashtë. Futbollisti nga Uganga është vonuar për efekt dokumentacioni, por Ze Maria mund të qetësohet.
Sonte në mbrëmje, rreth orës 20:00, sulmuesi do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit. Me shumë mundësi që nesër ai do të vihet nën urdhrat e stafit teknik për të vijuar përgatitjet. Fillimisht me një program të veçantë dhe më pas së bashku me pjesën tjetër të ekipit.
Sentamu është një nga lojtarët kryesorë të Tiranës, që sivjet rikthehet në Superiore dhe do të kërkojë të tregojë se shumë gjëra kanë ndryshuar dhe do të jenë një nga ekipet pretendente për vendet e sipërme të tabelës së klasifikimit.