Vjen Lihtenshtejni? As i intereson njeriu! Ky është realiteti i hidhur që rrethon kombëtaren tonë, atë që vetëm një vit më parë luante në Europian dhe të gjithë bënin be e rrufe që ishin shqiptarë, kuqezinj, patriotë, Cana, De Biazi e ç’të vinte ndërmend.
Tani do të përballemi me Lihtenshtejnin në Elbasan. Është kualifikuese dhe 3 pikët vlejnë po aq sa ato kundër Italisë, për shembull. Gjithsesi, tifozët nuk duan t’ia dinë. Deri tani sfida që do të luhet ditën e shtunë në “Elbasan Arena” duket se do të luhet në një stadium të boshatisur, me jo më shumë se 3000 tifozë, duke parë si po ecën shitja e bletave.
Top Channel raporton se deri tani janë shitur rreth 450 bileta, ndërsa nuk ka pse të llogariten biletat e shpërndara falas nga FSHF, pasi dihet që VIP-at kryesisht vijnë në stadium për të bërë paradë mode e për të takuar VIP-at e tjerë, ndërsa në fund pyesin sa doli ndeshja.
Të gjithë e kanë mendjen te sfida kundër Maqedonisë, a thua se është një finale botërori, por nëse nuk fitojmë me Lihtenshtejnin, faj do të kenë edhe tifozët, sepse kombëtarja është e jona, si kundër Spanjës, ashtu edhe kundër Lihtenshtejnit. Nëse nuk fitojmë, askush mos të ngrihet në Facebook e të ulërijë: Këta janë të mbaruar, kot që shkojmë e i ndjekim!