Momente ankthi te Torino, kjo për shkak se dje pas stërvitjes trajneri Valter Maxarri ka përfunduar në spital. Tekniku, i cili në të shkuarën ka qenë dhe një kandidat për të marrë stolin e Kombëtares së Shqipërisë, do të jetë për pak kohë nën kujdesin e mjekëve, deri në momentin që të përcaktohet arsyeja se pse ka pasur shqetësime shëndetësore.
Torino është në pritje të asaj që do të konstatojnë mjekët, por paraprakisht mësohet se trajneri ka marrë rekomandimin që të pushojë dhe të mos angazhohet në botën e futbollit. Nuk dihet se dhe për sa kohë do të duhet që Maxarri të qëndrojë larg profesionit të tij.
Skuadra e Torinos do që të dijë sa më parë diagnozën e trajnerit, në mënyrë që të vendosë nëse do ta presë derisa të shërohet, apo duhet të kërkojnë një timonier të ri. Për momentin skuadra po drejtohet nga zëvendëstrajneri.