Klarens Sedorf ishte një nga pikat më të forta të Milanit të Ançelotit. Holandezi, i cili quhej ndryshe si profesori, ishte një mesfushor klasi. Ekipet e vogla nuk e motivonin shumë, por kur Sedorf ishte në formë, Milani ishte i pandalshëm.
Tashmë drejton Kamerunin, por 42-vjeçari ka drejtuar dhe kuqezinjtë e Milanos nga 16 janari i vitit 2014 deri në 9 qershor të po atij viti. Nuk është se nuk kishte sukses, por drejtuesit e klubit vendosën të zgjidhnin një tjetër trajner në sezonin pasardhës.
Sedorf ka folur për “Pressing”, duke iu rikthyer dhe njëherë eksperiencës si trajner i “Djallit”, ndërsa flet dhe për karrierën e tij si futbollist dhe disfatën më të dhimbshme. Nuk është ajo kundër Liverpulit në “tragjedinë” e vitit 2005, por një tjetër surprizë e madhe e ndodhur një vit më parë. Milani eliminohej në mënyrë të papritur në çerekfinalet e Championsit: kishte fituar ndeshjen e parë në “San Siro” përballë Deportivos 4-1 dhe humbiste në Spanjë me rezultatin 4-0!
TRAJNERI – “Milani ndodhej në vështirësi dhe shkova për ta ndihmuar. Jam ndjerë shumë vetëm atë periudhë, megjithatë arritëm të krijonim një grup të bashkuar dhe arritëm numra të rëndësishëm: zhvilluam një lojë të pranueshme dhe grumbulluam 35 pikë në 19 ndeshje. Isha gati të nisja sezonin e ri, por drejtuesit morën një tjetër vendim. Do kisha dashur të kisha fatin e Inzagit, i cili vazhdon të humbasë dhe qëndron në pankinë.”
KARRIERA – “Jam shumë i kënaqur me karrierën time. Nuk e kam fituar ‘Topin e Artë’, por kam luajtur me shumë kampionë, të cilët nuk e kanë fituar. Jam shpërblyer në mënyrë të rëndësishme me fitoret me klubet ku kam luajtur. Për shkak të zgjedhjeve taktike nuk kam luajtur shumë si një numër 10, kam luajtur shumë në mesfushë dhe kjo gjë më ka hequr pak nga protagonizmi. Pengu? Eliminimi nga Deportivo La Korunja në Champions në vitin 2004. Ishte e vështirë të pranohej ajo humbje: atë vit mund të fitonim tripletën.”